Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e dënimit me 1 vit burg për ish deputetin e PD-së Ervin Salianji për veprën penale të kallëzimit të rremë. Në vendimin prej 60 faqesh të Gjykatës thuhet se Salianji “u përfshi në kallëzim të rremë për interesa politike të tij dhe të PD-së”. Gjykata sqaron se biseda është sajuar dhe më pas regjistruar me anë të një stilolapsi ku Fredi Alizoti bëri zërin e Geron Xhafës. Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji kanë patur komunikime të shpeshta edhe pasi kanë kryer veprën penale.
Jo vetëm kaq. Albert Veliu i njohur si Babalja, sipas Gjykatës u akomodua në selinë e PD ku ka dhënë dhe intervista. Biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018 në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ia ka dorëzuar Ervin Salianjit. Sipas gjykatës stilolapsin përgjues ia ka dhënë Salianji.
“Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron, Geron Xhafës. Mes të pandehurve Veliu, Alizoti, Salianji, Jetmir Olldashi ka komunikime të shpeshta para e pas veprës penale. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër komunikimet e tyre të shpeshta veç përfshirjes në audiopërgjim”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vendimi mbyllet duke argumentuar se nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafes e ka bërë Fredi Alizoti.
Gjykata e Tiranës dënoi 4 të pandehurit e dosjes “Babale”, mes tyre dhe ish-deputetin Ervin Salianji, ndaj të cilit u vendos 1 vit heqje lirie. Në përfundim të seancës Salianji akuzoi Artan Gjermenin, gjyqtarin që dha vendimin për dënimin e tij, se është anëtar i Bandës së Lushnjes.
Ish deputeti Salianji e ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës. Do të pritet se çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, në mënyrë që vendimi të marrë formë të prerë.