Një makinë ka dalë nga rruga dhe për pak ka qenë duke përplasur 2 kalimtarë, por fatmirësisht një pema ka shërbyer si mburojë duke ndalur automjetin dhe duke shmangur tragjedinë.
Aksidenti ka ndodhur mesditën e së shtunës pranë Urës së Tabakëve në Tiranë. Nga të dhënat e para dyshohet se makina mund të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë, ndërsa aksidenti ka ndodhur në një zonë ku ka lëvizje të shumta të këmbësorëve. Për fat të mirë, asnjë person nuk ka mbetur i dëmtuar nga ky aksident.
Përveçse ka mbrojtur kalimtarët, pema ka ndalur edhe vrullin e makinës, që mund të përfundonte në Lanë dhe mund të sillte pasoja serioze për drejtuesin e automjetit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Në fotot e publikuara nga faqja e Harta Digitale e Aksidenteve Rrugore dallohet automjeti ngjyrë gri i cili ndodhet në trotuarin afër Lanës i përplasur me pemën.
Dy ditë më parë përplasja e dy makinave në zonën e Porcelanit rezultoi fatal, duke i marrë jetën dy kalimtarëve, të cilët ndodheshin në trotuar.