36-vjeçari Elvis Josifi u godit në kokë nga prerësja e betonieres e cila peshon të paktën 5 tonë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme megjithëse ai kishte vendosur kaskë mbrojtëse. Josifi humbi jetën të premten teksa ishte duke punuar në një kantier ndërtimi në qytetin e Korçës. Gjatë aksidentit mbeti i plagosur dhe një punëtor tjetër i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas deklarimeve te personave të shoqëruar në polici, 36-vjeçarit i ra mbi kokë segmenti metalik që peshonte rreth 5 ton, duke i carë kaskën mbrojtëse, çfarë solli vdekjen e menjëhershme.
Lidhur me aksidentin e rëndë, Policia e Korçës arrestoi përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit të cilët akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
36-vjeçari Josifi ishte i siguruar dhe familja do të përfitojë nga sigurimi i jetës një vlerë prej 10 mijë lekë të rinj në muaj.