Dy shoferët të cilët u përfshinë në aksidentin tragjik në kryeqytet ku humbën jetën 2 këmbësorë janë lënë në burg nga gjykata e Tiranës. Masa e Sigurisë është dhënë nga gjyqtari Sokol Pasho, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, e cila kërkoi arrest me burg për të dy këta shoferë.
Nga ekspertiza paraprake rezulton se shoferi Etjon Lazari i cili drejtonte makinën ngjyrë gri ka qenë duke ecur me një shpejtësi mbi 80 km/h dhe makina ka qenë në marshin e katërt, ndërsa shpejtësia e lejuar në këtë aks është me 30km/h. Ndërkohë për Edmond Muratin nga ekspertiza thuhet se ka bërë një kthim që nuk lejohet. Konkretisht Gjykata vendosi për Lazarin masën e sigurisë “burg pa afat” ndërsa për Muratin si masë sigurie u vendos “30 ditë burg”. Për këtë të fundit do të bëhet një ekspertizë me e detajuar në lidhje me kthimin e makinës që bëri në rrugë.
Sapo është dhënë masa e arrestit me burg për të dy shoferët që shkaktuan aksidentin në rrugën ‘Xhanfize Keko’, në Tiranë, avokati i Edmond Muratit, shoferit që udhëtonte me ‘Golfin’ qe po kthehej, është shprehur se do të apelojë vendimin për masën e sigurisë për klientin e tij. Avokati ka thënë se klienti i tij ka qenë në përputhje me rregullat e qarkullimit rrugor dhe kishte hapur edhe sinjal në momentin e kthimit, ndërsa shoferi tjetër ka ardhur me shpejtësi tepër të madhe duke u përplasur me të.
“Kemi shprehur mënyrën dhe mekanizmin tonë lidhur më ngjarjen e rëndë. I shprehim ngushëllime familjarëve. Klienti im ka qenë në drejtim të rregullt dhe ka hapur sinjal. Më pas është përplasur nga mjeti tip ‘Beettle’. Ne nuk jemi dakord me vendimin. Ekspertiza ka përcaktuar në një farë forme edhe fajtorin. Por kërkesa e prokurorisë përmban daljen e ekspertizës. Kemi pasur kundërshtimet tona. Nuk përmendi fajësi të klientit tim. Momenti i ngjarjes ishte shumë i shpejtë. Ai ishte i tramatizuar nga kjo ngjarja dhe humbja e dy jetëve. Por lëvizja e tij ishte se pasi ka hapur sinjalin ka tentuar të kthehet”, tha avokati. Si pasojë e aksidentit të ndodhur më 2 janar humbën jetën Erion Balla, 36 vjeç dhe një grua e moshës 72 vjeçe, Hidajete Salliu.