I moshuari, i cili u dhunua dhe u grabit nga maskat në shtëpinë e tij, ka treguar tmerrin e përjetuar, ku grabitësit e kanë kërcënuar se do i vrisnin gruan, nëse nuk tregonte se ku i kishte fshehur paratë. Hiqmet Ramadani, 87 vjeç ka rrëfyer momentin e tmerrshëm të grabitjes, ku tregoi se kanë qenë dy persona, ndërkohë që e kanë lidhur dhe goditur, ndërsa i kanë grabitur paratë.
“Shqyen derën dhe hynë brenda. Isha bashkë më gruan. Dhe erdhi personi këtu. Njëri shkoi nga plaka dhe i lidhi buzën. Mendova se ishte nipi. Mu hodh për grykë dhe më kapi nga gryka. Dhe i gjuajta me një shkelm në bark. U bënë dy, mua më lidhën kokë e këmbë. Më lidhën dhe gojën. Morën atë kabllon dhe ma lidhën për gryke për të më mbytur. Pasi më vunë poshtë, morën valixhet këtu. E hapën valixhen. Ishin dy persona. Me lidhën këmbë, duar, gojë. Unë po kundërshtoja, ata më lidhën. Më thanë do të vrasim, mos bëj zhurmë, kobure nuk u pashë. Kisha 12 milionë lekë. Unë mezi u zgjidha vetë. Ika të vëllai dhe i thashë hajde se më vranë. Më erdhën dy veta për të më marrë lekët dhe ika pastaj. Më dhanë dy shkelma, më kanë gjuajtur dhe në nofull. Dorën ma kanë nxirë”, u shpreh 87-vjeçari për mediat.