Bakteri i rrezikshëm i mori jetën, drejtoresha e ISHP: Është fatal, por s’ka epidemi

AKTUALITET


Në Shqipëri dyshohet se po qarkullon një bakter i rrezikshëm që i mori jetën një polici dy ditë më herët ndërsa dyshohet edhe për dy viktima të tjera. Bëhet fjalë për ndarjen e papritur nga jeta të policit të Rrugores, Mariglen Mestani 27-vjeç.

Gjithashtu dyshohet për një djalë 30 vjeç dhe një grua 33-vjeç nga Durrësi të cilët ndonëse iu nënshtruan një terapie intensive në reanimacion, humbën jetën. Por Instituti i Shëndetit Publik, përveç rastit të policit është duke hetuar ende, për të konfimuar nëse rastet e tjera janë prekur nga bakteri vdekjeprurës.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha se polici vdiq nga sëmundja e meningjitit, ose meningokoksemisë. Sipas Binos, ky është një infeksion i rëndë, që ka një evolucion tepër të shpejtë dhe është fatal.

“Është infeksion i rëndë, fatal, që ka një evolucion tepër të shpejtë. Është një sëmundje e transmetueshme dhe për personat e kontaktojnë marrë masat e duhura. Nuk ka rrezik, pasi të gjithë personat që kishin kontakt me personin e prekur kanë marrë antibiotikët. Kemi vetëm një rast të evidentuar. Rasti i Durrësit nuk ka dyshim për sëmundje të tillë. Mostrat po analizohen, duhet të presim rezultatin dhe të themi të vërtetën”, tha Bino, e cila dha një këshillë për qytetarët.

“E vetmja këshillë për qytetarët është se instituti po monitoron situatën, jemi në sezon gripi por kemi një intensitet të ulët gripi, kur kanë temperatura të larta mos të neglizhojmë por të konsultohen me mjekët e familjes”, tha Bino.



Skip to toolbar