PD i nxori dosjen, Ismailaj: Nuk jam arrestuar, për dënimin s’kisha dijeni

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj i është përgjigjur sërish akuzave të Partisë Demokratike, e cila ka publikuar një dokument për të cilin pretendon se është dëshmia e penalitetit ku Qerimaj rezulton se është dënuar në mungesë nga drejtësia greke më datë 25 Shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg për plagosje, ngjarje e ndodhur në 1999.

Ismailaj nuk e ka mohuar akuzën, por thotë se nuk ka pasur dijeni lidhur me shkresat e paraqitura ditën e sotme nga PD, dhe ka këmbëngulur se ai nuk është arrestuar në Greqi. Ndërkohë shprehet se po të kishte dijeni do i kishte deklaruar sepse kjo sipas tij nuk do e kishte penguar të kandidonte për kryebashkiak.  Ai thotë se në periudhën kur pretendohet se ka dalë ky vendim ai ka qenë duke punuar si mësues në një shkollë në Corrush, ndërsa shpreh bindjen se e vërteta dhe e ndershmëria do të triumfojë mbi gënjeshtrën.

“Theksoj përsëri se për kohën që kam jetuar dhe punuar si emigrant ekonomik në Greqi, nuk jam arrestuar, ndaluar apo deportuar asnjëherë nga policia greke! Lidhur me shkresat e paraqitura sot nuk kam pasur dijeni sepse po të kisha, fare thjesht do t’i deklaroja në formularin e dekriminalizimit, pasi vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jem i dënuar nuk është në kushtet që të më pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës dhe për këtë qëllim do të ndjek çdo rrugë ligjore për zbardhjen e të vërtetës si këtu ashtu dhe në Greqi! Lidhur me pretendimin se nuk është kryer dënimi i presupozuar, pasi nuk më kanë gjetur, theksoj se kam udhëtuar me dhjetëra herë në Greqi dhe jo vetëm dhe asnjëherë në asnjë pikë kufitare nuk më është refuzuar hyrja apo për më tepër që të jem ndaluar! Në periudhën kur ka dalë ky i ashtuquajtur vendim kam punuar mësues në shkollën ‘I.Shehu’” Çorrush si dhe në 12 tetor 2000 jam zgjedhur kryetar i komunës Kute”, deklaroi Ismailaj.

Partia Demokratike ka publikuar një dokument ku pretendon se është dëshmia e penalitetit të kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, ku rezulton se është dënuar në mungesë nga drejtësia greke më datë 25 Shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg për plagosje, ngjarje e ndodhur në 1999.

Sipas dokumentit Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000, i dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin.



Skip to toolbar