“Zbutet” Macron, Franca gati t’i thotë po Shqipërisë

POLITIKË


Nga Jean-Pierre Stroobants dhe Virginie Malingre

Pasi bllokoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në Tetor 2019, Franca tani duket se është e gatshme të rishqyrtojë qëndrimin e saj. Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian, e konfirmoi këtë të enjten, 9 janar, në Kroaci, vendi i cili ka marrë kryesimin e BE që nga fillimi i këtij viti. “Nëse ka një marrëveshje për të modernizuar procesin e zgjerimit, unë besoj se ka hapësirë për përmirësim,” tha ai.

 “Sikurse Emmanuel Macron i tha Andrej Plenkoviçit, kryeministrit kroat, i cili ishte në Paris të martën në 7 janar, Franca është e gatshme të rishohë qëndrimin e saj nëse ndryshon metoda e negociatave”, kanë konfirmuar për Le Monde në Pallatin Elysée. “Për ne, ky është një parakusht, që mbështetet nga rreth 15 vende anëtare të Bashkimit Europian” këmbënguli presidenca franceze.

Në Zagreb të premten, presidentja Komisionit Evropian ishte e kujdesshme. “Nuk është e nevojshme të ndryshojmë rregullat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha Ursula von der Leyen, ndërsa konfirmoi se Komisioni po përgatitet të bëjë propozime për një ndryshim në metodologji.

 “Ne duam ta bëjmë Zagrebin një sukses,” tha Macron pas takimit të tij në Paris me Plenkoviç, duke iu referuar samitit që do të zhvillohet nga BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në maj, në kryeqytetin Kroat.

Kjo deklaratë konsiderohet inkurajuese nga ata që besojnë se është e nevojshme të dërgohet shpejt “një sinjal pozitiv” për të shtruar rrugën drejt “perspektivës së pranimit”.

Në fund të vitit 2019, Franca sugjeroi të zëvendësojë procedurën e vështirë të negociatave aktuale (35 “kapituj” që mbulojnë të gjitha politikat e BE) me një proces shtatë hapash “konkret, gradual, rigoroz” . “Ky është një proces që i bind njerëzit” tha atëherë presidenti Macron.

I takon Komisionit të zhvillojë shpejt këtë metodë të re. Komisioneri i ri i zgjerimit, hungarezi Oliver Varhely, po punon për këtë çështje. Ai u takua, të mërkurën në 8 Janar, në Paris, me Kryeministrin francez Edouard Philippe dhe Sekretarin e Shtetit për Europën, Amélie të Montchalin.

“Sot, një shtet i cili hyn në procesin e gjatë të negociatave e hap shampanjën një herë kur ato fillojnë dhe pastaj, shumë vite më vonë, kur ato mbarojnë. Ndërkohë, vendi në fjalë mbetet, gjatë gjithë kësaj kohe mbetet jashtë Evropës. Ky kalvar i pafund dhe kjo kohë e gjatë, mund të çojnë, siç po ndodh në Serbi, drejt një zhgënjimi të qytetarëve në lidhje me idenë e Evropës. Prandaj më mirë do ishte zhvillimi i një procesi që u mundëson këtyre vendeve edhe të “përshtaten” gradualisht me BE edhe të shohin pas çdo faze që kalojnë, ndonjë arritje konkrete”, ka komentuar një ekspert francez i kësaj çështje planin e qeverisë së tij.

Një burim tjetër shpjegon: “Ne kemi nevojë për një proces më politik, më gradual, përgjatë të cilit përpjekjet e vendeve kandidate shpërblehen hap pas hapi me shtimin e ndihmës evropiane. Por, ky proces ka karotën dhe shkopin sepse, nëse vendet kandidate bëjnë pas, ai edhe mund të kthehet. Sipas vizionit francez, procesi do të shndërrohej në një integrim gradual të vendit, sa herë përfundonte trajtimi i një teme kryesore.

Shumë i vëmendshëm që fqinjët e tij të mos bien nën ndikimin rus, kinez ose arab, Kryeministri kroat ka planifikuar të mbledhë krerët e shteteve dhe qeveritë e Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, në 7 maj. Plenkoviç shpreson, siç tha ai të enjten, se samiti joformal “do të shënojë një faqe të re në historinë e zgjerimit evropian”.

Por, që kjo të ndodhë, Këshilli Evropian, që do të mbahet në Bruksel në mars, duhet të hedhë një hap të rëndësishëm përpara. Pra 27 krerët e vende e anëtarë duhet ta kenë marrë vendimin si për miratimin e një reforme të procesit të pranimit, por edhe atë për të hapur negociatat me Shkupin dhe Tiranën.

 “Debati do të jetë i ndërlikuar”, komenton Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Edhe nëse Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do ti hapej drita jeshile, ky do të qe vetëm fillimi një rruge shumë të gjatë bisedimesh.

Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor duhet, në çdo rast, të ftohen në një takim në ditën e dytë të Këshillit Evropian të Marsit. “Ne duhet të kemi diçka për t’i ofruar atyre”, insiston nga pala kroate.

 “Ne mund të arrijmë një rezultat pozitiv me kusht që rregullat të jenë të qarta deri në maj. Do të ishte një fitore, por jo një fitore ndaj Francës, pozicioni i së cilës pa dyshim është interpretuar keq, – këmbëngul një burim qeveritar në Paris-. Qëllimi ynë nuk ishte të kundërshtonim me çdo çmim, por një thirrje për të reflektuar dhe reformuar. Për tu rinovuar për tu integruar më mirë”. Le Monde



Skip to toolbar