Policia e Durrësit njofton se 5 persona janë asfiksuar si pasojë e zjarrit që përfshiu gjatë natës spitalin e Durrësit, por ata janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka zbuluar se shkak për zjarrin që përfshiu gjatë natës spitalin e Durrësit ka qenë shkëndija elektrike që ka përfshirë të katër kabinat elektrike në të katër katet e spitalit.
“Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkaku i zjarrit ka ardhur si pasojë e përfshirjes nga zjarri të katër kabinave elektrike të katër kateve, ku zjarri fillimisht ka nisur në katin e parë dhe ka vazhduar deri në katin e katërt. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkakut të përfshirjes së kabinave elektrike nga zjarri”, njofton policia.
Zjarri në spitalin e Durrësit nisi rreth orës 00:25, në mesnatë në repartin e ortopedisë ku fillimisht sipas policisë ka përfshirë kabinat elektrike të pavijonit.
Menjëherë kanë shkuar forcat e Policisë dhe zjarrfikësit. Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe personeli kanë bërë të mundur evakuimin e të gjithë pacientëve nga të katër katet e pavijonit duke i transferuar në një pavijon tjetër.
Si pasojë e zjarrit janë asfiksuar 5 pacientë, të cilët janë dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.