Kryemadhi kërkon “Pakt Kombëtar”, jo marrëveshje politike

AKTUALITET


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka bërë thirrje për firmosjen e një “Pakti Kombëtar” për të ardhmen e vendit, i cili do të parashikojë hartimin e politikave afatgjata për Shqipërinë. Në një takim që zhvilloi me strukturat e LSI-së në Elbasan, Kryemadhi tha se vendi ka nevojë për një pakt kombëtar, që nuk është një marrëveshje politike, ndërsa theksoi se miratimi i reformës zgjedhore do t’i jepte fund krizës politike, por sipas saj është kryeministri Edi Rama që nuk e dëshiron atë.

“Ne si LSI deri më sot kemi qenë në kuadrin e denoncimit, por sot marrim përsipër përgjegjësitë tona si parti politike. Nuk është rëndësia tek numri i votave, por tek përgjegjësia dhe angazhimi ndaj qytetarëve. Ne i kem i përballuar përgjegjësitë. Ne angazhohemi për çuarjen deri në fund të reformave. Hapja e negociatave është një nga prioritetet kryesore, jo vetëm e LSI por e 99% të shqiptarëve.

Duke filluar me miratimin e reformës zgjedhore, për t’i dhënë fund krizës politike. Është e rëndësishme mbyllja e detyrave të shtëpisë. Jemi të gatshëm për të paraqitur propozimet tona, dhe janë gati. Ka një njeri që nuk do që kjo të eci, se duke mbyllur reformën zgjedhore, atij i vjen hapi i dytë, që janë zgjedhjet.

Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar me realizimin e reformave kryesore, që nuk është një pak politik. Ky pakt kombëtar ka të bëjë me hartimin e politikave afatgjata për Shqipërinë. Shqiptarët sot nuk kanë bukë të hanë në tavolinat e tyre. Në gratë dhe vajzat në Shqipëri do të punojmë çdo ditë për të ngritur në këmbë Shqipërinë që të eci dinjitoze dhe krenare siç ka ecur gjithmonë”, tha Kryemadhi e cila hodhi akuza kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama për të cilin tha se ka blerë mediat dhe heshtjen e njerëzve.

“Sot Shqipëria po kalon një situatë të vështirë, 2019-a një nga vitet më të vështira që kaloi Shqipëria. Kaluam fatkeqësinë e 26 nëntorit, nga tërmeti fatkeq që solli viktima në njerëz si rezultat i një papërgjegjshmërie të shtetit. Përgjegjësia e mungesës së shtetit, së respektit ndaj qytetarit ka qenë një nga problemet e qeverisjes. Si përmallohej kryeministri, puthte në duar e ballë viktimat, sot më 12 janar qytetarë pa shtëpi vijojnë të jetojnë në çadra, të tjerë kanë dalë nga hotelet, duke u tallur me bonusin qesharak të qirave. Kësaj qeverisje i ka munguar dashuria për njerëzit e vendit të saj. Korrupsioni është ai që e ushqen pafundësisht këtë qeveri, që blen mediat, heshtjen e qytetarëve. Nëpërmjet korrupsionit bllokohen reforma të rëndësishme për vendin”, tha Kryemadhi në Elbasan.



Skip to toolbar