Policia shpëton 4 alpinistë të bllokuar në Malin e Gramozit

AKTUALITET


Katër alpinistë të bllokuar në Malin e Gramozit janë shpëtuar nga policia, pasi rrezikonin të kalonin natën në temperatura shumë të ulëta, por falë dhe bashkëpunimit me banorët, ata janë gjetur në kohë dhe janë kthyer në vendqëndrimet e tyre.

Policia e Korçës deklaroi se është vënë në lëvizje, pasi në sallën operativë të Komisariatit të Kolonjës, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të Komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës.



Skip to toolbar