Rama në 107-vjetorin e policisë: RENEA, në nivel europian

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu inauguruan ambientet e reja të repartit RENEA. Rama theksoi se forcat policore të elitës, pas 30 vjetësh do të kenë më në fund të njëjtat kushte si forcat simotra në Europë. Sipas tij, RENEA ka dhënë shembuj të panumërt përkushtimi, në një lartësi profesionale dhe morale të admirueshme, që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet, megjithëse sipas tij, ato janë në nivelin e forcave të ngjashme të të gjitha vendeve evropiane, sa i përket përkushtimit dhe lartësisë së tyre profesionale.

“Sot më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që 107 vjet nga formimi i Policisë së Shtetit t’iu themi të gjithë djemve të përkushtuar të RENEA-s, por edhe vajzave që janë pjesë e tyre, se e shlyem një borxh ndaj tyre, duke vënë në dispozicion pas 30 vitesh këtë strukturë, që i shërben stërvitjes, mirëqenies profesionale dhe morale të tyre, ndërkohë që për 30 vite rresht të gjithë ata që janë angazhuar në RENEA kanë dhënë shembuj të panumërt përkushtimi, në një lartësi profesionale dhe morale të admirueshme, që nuk janë shpërblyer sa dhe si duhet. Sot, RENEA ka në dispozicion një strukturë, që është në çdo aspekt e ngjashme në çdo standard me strukturat e Forcave Policore të Elitës në vendet evropiane. RENEA u themelua me një akt të posaçëm më 12 shtator të 1991, në një moment kur diktatura e kishte marrë tatëpjetën dhe pushteti i saj kishte rrëshqitur. Detyra e parë e atij grupi ishte të përndiqte grupet e supozuara anti-regjim, ndërsa përgjatë viteve 80’ detyra e tyre ishte të parandalonte çdo mundësi revolte kundër regjimit nëpër stadiume. Sot, jemi në një botë tërësisht tjetër dhe me sfida, qëllime e mundësi tërësisht të tjera. Nëse sot kemi këtu një strukturë moderne për forcat e RENEA-s, që nuk ka asgjë të mangët në aspektin e kushteve krahasuar me strukturat e ngjashme në vendet e BE, deri një dekadë më parë kishim një repart ushtarak, që në shkurt, mars të 1997 përgatitej të sulmonte në jug. Nuk ishte 100 vjet më parë, por 20 vjet më parë, dhe nëse krahasimet me të shkuarën janë tronditëse, sot është koha për t’u matur me të ardhmen”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.



Skip to toolbar