Soreca: BE, 19 milionë euro për policinë

AKTUALITET


Bashkimi Europian do të japë 19 milionë euro për Shqipërinë në dy vitet e ardhshme me qëllim luftën kundër krimit të organizuar. “Një Shqipëri më e sigurt do të thotë një Evropë më e sigurt”, tha ambasadori i BE-së, në Tiranë , Luigi Soreca në fjalën e mbajtur në ceremoninë e 107-vjetorit të Policisë së Shtetit, ku u përurua dhe reparti i ri i Forcave Speciale RENEA.

Soreca deklaroi se BE do vijojë mbështetjen e policisë shqiptare, ku në dy vitet e ardhshme do të japë një fond prej 19 milionë eurosh.

 “RENEA është forca elitë e Policisë së Shtetit, që kryen ndërhyrje të rëndësishme. Për shumë vite, BE ka bashkëpunuar me forcat shqiptare të sigurisë për të modernizuar policinë. Vetëm në vitet e fundit BE ka financuar 15 milionë euro në mbështetje të policisë. Ne kemi punuar bashkë me forcat shqiptare për të modernizuar menaxhimin e kufirit. Në dy vitet e ardhshme BE do të japë 19 milionë euro për policinë. Arsyeja pse jemi këtu duhet parë si një gur kilometrik shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.

Krimi i organizuar dhe krimi i rëndë nuk janë fenomen vendor dhe lokal, ato varen në lidhjen e tyre ndërkombëtare. Krimi i organizuar duhet luftuar nga të gjithë”, deklaroi Soreca.



Skip to toolbar