Në 107-vjetorin e policisë, kryeministri Rama i është rikthyer “KÇK” dhe njofton ofensivën më shembullore ndaj krimit. Duke folur gjatë ceremonisë për finalizimin e projektit të repartit bashkëkohor për forcat policore të elitës, të cilat pas 30 vjetësh do të kenë më në fund të njëjtat kushte si forcat simotra në Europë, Rama theksoi se “viti 2020 është përcaktuar si vit kyç për të vënë në jetë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar”.
“Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet pastrim i madh, rrënjësor në pallatin e drejtësisë, por koha e nevojshme për të mbaruar këtë pastrim e për të vënë në funksionim të plotë institucionet e reja të drejtësisë nuk është fort e shkurtër dhe ndërkohë në këtë fazë tranzicioni mes një sistemi që po shembet e atij që po ngrihet shoqëria jonë po përballet me organizatën kriminale, të rrezikshme e përbërë nga prokurorë e gjykatës që e dinë se nuk e kalojnë vetingun dhe i janë bashkuar motos kap ca të kapësh, duke dhënë vendime skandaloze, në cenim të sigurisë kombëtare”- tha ai.
Rama njoftoi se “Po kolaudojmë paketën ligjore me SHBA dhe BE dhe në vijim do ta kthejnë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke zhvilluar një aktivitet agresiv në terren të policisë së shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë dhe paralelisht do vëmë me shpatulla pas murit çdo anëtar të KÇK në prokurori e gjykatë, që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”.