Basha, sot në gjykatë për lobimin rus. Tre vendimet që mund të merren

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës do të zhvillojë sot seancën paraprake në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të PD, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi për çështjen e lobimit me 675 mijë dollarë.

Basha, Ristani e Dervishi janë dërguar në gjykatë nga prokuroria për akuzën e falsifikimit të formularëve. Por, kjo ka hapur një debat juridik sa i përket faktit se ndaj Bashës nuk është ngritur akuza e pastrimit të parave. Dy nga prokurorët e çështjes vendosën të çojnë çështjen në gjykatë, në mungesë të dëshmisë së lobistit Nick Muzin dhe vetëm pasi të sigurohet dëshmia e tij të ngrejnë akuzat e tjera, ndërsa prokurori i tretë kishte kërkuar që të pritet dëshmia e tij. Megjithatë, kërkesa u prokurorisë u dërgua në gjykatë me firmat e dy prokurorëve. Seanca gjyqësore pritet të zhvillohet në orën 16.00 të së hënës.

Në seancën paraprake gjykata mund të marrë një nga tre vendimet e mëposhtme; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.

Lulzim Basha, u mor i pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, për lobimin 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë offshore Biniata Trade, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. 

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.



Skip to toolbar