Kirurgjia me godinë të re, Rama premton transformim të QSUT

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Manastirliu, kanë inauguruar të hënën godinën e re të spitalit të Kirurgjisë ndërsa ka premtuar se qeveria e tij do të transformojë tërësisht Qendrën Shëndetësore Nënë Tereza në Tiranë. Në fjalën e tij, Rama tha se kjo është një ëndërr e bërë realitet, ndërsa shtoi se ka nisur puna te Pediatria në mënyrë që edhe kjo godinë të modernizohet. “Po shikoja këtë fotografinë dhe muret e spitalit janë me pllaka si ato të tualeteve. Kjo foto dhe rrëfimi im i përket kohës pas 90-ës, kur erdhën pllakat nga Turqia. Tashmë kjo është vepra më e madhe e 90 viteve në Shqipëri për shëndetësinë për cilësinë dhe thellësinë e projektit, ku ka një transformim rrënjësor. Ndihem shumë i nderuar dhe nuk ka kompliment më inkurajues nga fjalët e profesorit dhe fjalia e tij se  ‘kjo është një ëndërr e bërë realitet’. Ëndrra ime ka qenë që QSUT të transformohet në të gjithë perimetrin e saj, por sot ky institucion është ende një kantier në ndërtim e sipër. Tashmë ka nisur puna dhe për pediatrinë, ku do kemi më në fund spitale moderne”, u shpreh Rama.

Kryeministri përmendur dhe koncesionet në Shëndetësi që janë kontestuar më së shumti nga opozita duke thënë me ironi se “janë të mallkuara, por kanë sjell një transformim dhe modernizim të pajisjeve spitalore”.

Me humor Rama u premtoi doktorëve se do t’i dërgonte një varg me hudhra për të prishur syrin e keq ndërsa prezantoi disa risi që do të aplikohen në spitalin e ri të Kirurgjisë që do të ketë një kapacitet prej 350 pacientësh në vit.

 “Do ju sjell një varg me hudhra që të mos ju marrin më sysh. Siç themi ne katundarët ‘nuk kena shkollë, por kena eksperiencë”,  iu drejtua Rama kirurgëve.

Kryeministri tha se të gjitha operacionet në këtë spital do të filmohen që të jenë një arkivë për studentët, e do jenë dhe pjesë e leksioneve në universitet.

 “Tashmë do filmohen të gjitha operacionet. Studentët mund të shohin çdo gjë që bëhet edhe pse nuk janë në sallën e operacionit edhe pse kjo është një pjesë e rëndësishme e profesionit të tyre. Por tashmë ne do të kemi një bibliotekë dixhitale për operacionet, ku do ketë një arkivë të pasur”, u shpreh Rama.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu gjatë fjalës së saj tha se spitali i ri do të ketë 7 salla operacionesh dhe se në vit do të kryhen rreth 9 mijë ndërhyrje krirurgjikale.

 “Ambientet moderne janë ëndërra e kirurgëve. Me 120 shtretër, me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë. Investimit më i madh në 30 vite për kirurgjinë shqiptare. Është një investim për profesionistët tanë, kirurgët, një investim për studentët, për infermierët. Është një investim për qytetarët tanë që meritojnë të marrin shërbimin e duhur. Do të bëjmë shtimin e gamës së analizave. 350 mijë pacientët do të përfitojnë nga këto investime të qeverisë shqiptare. Do të bëhen 9 mijë ndërhyrje në vit. Studentët do të kenë një sallë dixhitale.  Me zemër ua uroj ta gëzoni spitalin e ri”, tha Manastirliu.



Skip to toolbar