Është ndarë nga jeta të hënën regjisori i njohur shqiptar Fehmi Hoshafi i njohur nga të gjithë për drejtimin e filmit “Kapedani”, që mbetet një kryevepër e kinematografisë shqiptare. Por jo vetëm “Kapedani” edhe filma të tjerë shqiptarë janë realizuar nën drejtimin e regjisorit Hoshafi, si “Shoku ynë Tili”, “Dritat e qytezës, “Endërr për një karrige”, etj.
Gazetari i njohur Sokol Balla shkruan se regjisori Hoshafi solli një frymë emancipuese në kinematografinë shqiptare përmes filmit “Kapedani” të ngjashme me lëvizjen #MeToo që nisi mes aktoreve në SHBA.
“Dje u shua Fehmi Hoshafi, regjisori i ndoshta filmit më popullor shqiptar të gjysëm shekullit. “Kapedani” mbetet një kryevepër e xhaxhi Fehmiut dhe kinematografisë shqiptare, për frymën emancipuese që vlen dhe sot me #MeToo. Fehmiun qëllova ta kem xhaxhain e nënës sime dhe një kurator të mendimit dhe të elokuencës”, shkruan gazetari Balla.
Fehmi Hoshafi lindi më 28 shtator të vitit 1934 në Tiranë. Ai filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre “Toka jonë”, 1964; “Vitet e para”, 1965; “Oshëtimë në bregdet”, 1967; “Gjurma”, 1970. Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi.
FILMOGRAFIA
1967: Estrada në ekran
1972: Kapedani
1976: Thirrja
1980: Dëshmorët e monumenteve
1981: Shoku ynë Tili
1983: Dritat e qytezës
1984: Ëndërro për një karrige
1985: Melodi e pandërprerë
1987: Zëvendësi i grave
1987: Në emër të lirisë
1989: Pas takimit të fundit