Opozita me 2 negociatorë për reformën zgjedhore, Basha njeh Gjiknurin

AKTUALITET


Opozita e Bashkuar ka hedhur një hap në drejtim të realizimit të reformës zgjedhore duke mandatuar dy ndërmjetësues, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin që do të negociojnë me maxhorancën dhe opozitën parlamentare në lidhje me ndryshimet e propozuara për këtë reformë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha pas takimit që zhvilloi në selinë blu me krerët e partive aleate se ai mendon që për reformën zgjedhore është e nevojshme zhvillimi i një tryezë parlamentare gjithëpërfshirëse, pra pa përjashtuar askënd dhe duke u tërhequr nga kërkesa fillestare për dorëheqjen e bashkëkryetarit të Komisionit, Damian Gjiknuri, si dhe nga kërkesa që opozita parlamentare të mos jetë pjesë e diskutimeve.

Më tej Basha akuzoi maxhorancën se ka vonuar për 4 muaj miratimin e Reformës Zgjedhore ndërsa deklaroi se ai mbetet i hapur që të diskutohet edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, por theksoi se kjo nuk qenë asnjëherë problem kryesor në zgjedhjet në Shqipëri.

“Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga ana tjetër. Sot opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të Reformës zgjedhore dhe mandaton Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për ecjen përpara të Reformës Zgjedhore duke i qëndruar pikave të miratuara në Tetor. E para krijimin e një mekanizmi gjithëpërfshirës dhe transparent me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe çdo faktori tjetër shoqëror, së dyti miratimi me konsensus jashtë parlamentit dhe komisionit të reformës zgjedhore të çdo propozimi për reformën zgjedhore, së treti kalimi i çdo propozimi të miratuar me konsensus në seancë plenare”, tha Basha, i cili megjithëse theksoi se reforma duhet të miratohet jashtë parlamentit, dy negociatorët e opozitës do të negociojnë me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar, pra me Gjiknurin dhe Hajdarin, që janë pjesë e parlamentit dhe më herët nuk janë njohur nga PD.

Sipas Bashës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të njejtën ditë me zgjedhjet vendore janë rruga e vetme për të dalë nga kriza politike.



Skip to toolbar