Opozita nuk humb kohë, nga selia blu shkon në tryezë me Gjiknurin e Hajdarin

AKTUALITET


Dy negociatorët e mandatuar nga opozita e bashkuar janë ulur menjëherë pa humbur kohë në një tryezë negocimi me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar. Siç shihet edhe nga fotoja e mësipërme, në të njejtën tryezë janë ulur dy negociatorët e opozitës Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI, si dhe dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar, Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri.

Megjithëse tryeza e bisedimeve nuk është mbledhur në ambientet e kryesisë së Kuvendit, duhet thënë se negociatat po kryhen me dy përfaqësues të kuvendit, të cilët më herët nuk janë pranuar nga PD.

Në muajin tetor në tryezën e parë për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE, PD kërkoi dorëheqjen e Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe vendosi si kusht që kjo reformë të hartohej jashtë parlamentit, pa praninë  e opozitës parlamentare, pra duke mos njohur as Rudina Hajdarin, deputeten e PD që refuzoi të digjte mandatin.

Por siç duket PD ka hequr dorë nga këto kërkesa dhe ka rënë dakord që të pranojë të negociojë me përfaqësuesit e kuvendit, pasi kjo është e vetmja rrugë për të pasur një reformë zgjedhore, e cila nuk mund të miratohet pa kaluar në Kuvend.



Skip to toolbar