Hajdari: PD e LSI pranuan se zgjidhja nuk vjen nga protestat

AKTUALITET


Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari deklaroi pas tryezës së parë të përbashkët me dy përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentare se ky hap i hedhur nga PD e LSI tregojnë se zgjidhja nuk vjen nga protestat por nga ndjekja e rrugës institucionale.

Hajdari tha se protestat me molotov të opozitës dëmtojnë Shqipërinë dhe se zgjidhja e krizës vjen përmes dialogut dhe tryezës së bisedimeve, një hap që opozita vendosi ta ndërmarrë pikërisht të martën. Hajdari gjithashtu theksoi se opozita parlamentare do të luftojë deri në fund që të miratojë si pjesë të reformës zgjedhore ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pak ditë më herët se bashku me Nismën Thurje, Hajdari dhe deputeti Ralf Gjoni depozituan në Kuvend një draft ku propozonin sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura deputetësh.

“Besoj se prezenca e PD dhe LSI në këtë tryezë tregon se kanë pranuar që rruga e duhur për të zgjidhur problemet është rruga institucionale, dhe jo e protestave e molotovëve që dëmtojnë Shqipërinë. Besoj se pranuan që rruga që do t’i jepte zgjidhje krizës politike është duke ardhur me ide dhe plane konkrete, të cilat i diskutuam sot. Kjo do të kërkojë konsensus nga të gjitha palët, por unë dua të theksoj se vullneti i opozitës brenda parlamentit do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Shqiptarët kanë nevojë që t’i kthehet sovraniteti në parlament. Shqiptarët të kenë një kod dhe një sistem zgjedhor që i jep atyre të drejtën e lirë për të pasur një përfaqësim dinjitoz në parlament. Unë do luftoj deri në fund për këtë qëllim. Zgjodhëm rrugën e duhur, atë të institucioneve”, tha Hajdari.



Skip to toolbar