Të martën në 14 janar, Gjykata e Krujës vendosi të linte të lirë ish-anëtarin e “bandës së Durrësit”, Endrit Dokle. Gjykata i ndryshoi masën e dënimit nga i përjetshëm në 25 vite burgim, dhe për shkak se i dënuari kishte kryer ¾ e dënimit, atij iu pranua kërkesa për lirim me kusht. Ndërkohë, një kompani ndërtimit ka garantuar se nëse i dënuari Endrit Dokle do të lirohej, ai do të punësohet. Sipas një dokumenti të siguruar nga “Balkanweb”, kompania “Mateo Konstruksion” i ka garantuar Endrit Dokles një vend pune si punëtor ndërtimi në këtë kompani. Gjithashtu, sipas kontratës, kompania me administrator shtetasin Agim Çako, do ta paguajë me 35 mijë lekë të vjetra në muaj Endrit Doklen, ku përfshihet dhe pagesa e sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore.
“Sot më datë 25.10.2019 unë Agim Çako në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Mateo Konstruksion” sh.p.k premtoj lidhjen e kontratës së punës si më poshtë vijon: Shoqëria “Mateo konstruksion” sh.p.k ka si objekt të veprimtarë së saj, fushën e ndërtimit, me ortak të vetëm dhe administrator z.Agim Çako. Shtetasi Endrit Dokle, atësia Mensur, i datëlindjes 31.12.1983 i identifikuar me Nr. personal 131231038G lindur në Kukës dhe banues në Tiranë është duke vuajtur dënimin pranë IEVP-Fushë-Krujë.
Unë administratori i shoqërisë Agim Çako deklaroj se pas vuajtjes së dënimit prej shtetasit Endrit Dokle, do ta punësoj pranë shoqërisë “Mateo Konstruksion” sh.p.k. me detyrë punëtor ndërtimi. Kontrata e punësimit midis shoqërisë “Mateo Konstruksion” sh.p.k dhe shtetasit Endrit Dokle pas marrjes në provë për një afat 3 muaj, do të jetë me afat 1-vjeçar me të drejtë përsëritje.
Koha e punës së shtetasit Endrit Dokle në shoqërinë “Mateo konstruksion” sh.p.k do të jetë 8 orë në ditë ose 40 orë në javë”, thuhet në premtimin e dnërtuesit. Pagesa neto që do të kryhet për punëmarrësin Endrit Dokle nga punëdhënësi “Mateo Konstruksion” sh.p.k do të jetë 35.000 lekë në muaj. Punëdhënësi merr përsipër që të paguajë edhe detyrimet tatimore (sigurime shoqërore dhe shëndetësore, tap)”, thuhet në dokumentin ku Endrit Dokles i premtohet punësim.