Gjyqtarja Marsela Balili, e caktuar përkohësisht si pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë për herë të dytë, pas një pezullimi 6-vjeçar të saj vite më parë, ndërsa ishte rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 2017. Balili u përball me probleme të shumta në kriterin e pasurisë dhe mosdeklarime të sakta në KPK, trupa e së cilës vendosi shkarkimin e saj.
Gjyqtarja Balili u hetua vetëm për kriterin e pasurisë, ku problemi kryesor ishte financimi i një apartamenti duplex. Relatorja e çështjes, Etleda Çiftja pohoi se gjyqtarja Marsela Balili penalizohej nga raporti i ILDKPKI, sipas së cilit deklarimet e saj ishin të pasakta dhe në mungesë të burimeve të ligjshme. Raporti gjykonte gjithashtu se Balili kishte kryer fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. Për një apartament duplex me sipërfaqe 196 m2 të blerë në vitin 2012 në Komunën e Parisit në Tiranë për vlerën 125 mijë euro, Komisioni identifikoi mospërputhje të deklarimeve me dokumentacionin e administruar, mungesë burimesh të ligjshme dhe përfitimin me një vlerë më të ulët nga ai i tregut.
Komisioni identifikoi mospërputhje deklarimi dhe mungesë burimesh edhe për blerjen e një autoveture tip “Ford Fiesta” në vitin 2012 në vlerën 4 mijë euro. Çiftja tha se Balili ka deklaruar si burim edhe një pjesë të huasë 40 mijë euro të marrë nga bashkëshorti në vitin 2011. Por, sipas KPK, huadhënësi nuk ka pasur burime të ligjshme për të siguruar vlerën 40 mijë euro. Komisioni identifikoi mungesë burimesh edhe për dy llogari “Futura” në emër të dy fëmijëve të mitur, një në vlerën rreth 1.2 milionë lekë dhe tjetra rrth 680 mijë lekë. Balili sqaroi se llogaritë e fëmijëve ishin krijuar nga të dhuratat e familjarëve, të afërmve dhe të miqve. Ajo shtoi se kishte kontribuar edhe vetë në llogarinë e fëmijës së parë, ndërsa nuk kishte mundur për të dytin pasi ishte e papunë. Po ashtu u konstatua se Balili nuk ka deklaruar përdorimin për pushime të një apartamenti të blerë nga prindërit në Vlorë. Për blerjen e këtij apartamenti ka rezultuar se babai ka transferuar nga SHBA vlerat 29 mijë dhe 16 469 USD dhe se ai ka pasur burime për krijimin e këtyre shumave. Gjithashtu është identifikuar mospërputhje e deklarimeve për çmimin dhe mosdeklarimi në vitin 2012 i një motoçiklete për përdorim vetjak në emër të bashkëshortit, blerë për 140 mijë lekë. Relatorja Çiftja shtoi se subjekti nuk ka deklaruar një apartament në Vlorë dhe një në Përmet ku ajo dhe bashkëshorti rezultojnë të jenë bashkëpronarë. Ajo theksoi se nga analiza financiare që ka përfshirë vitet 2003-2016, rezulton që Balili të ketë mungesë burimesh të ligjshme për shpenzimet e kryera në periudhat 2010-2011 dhe 2012-2015.
KPK e rrëzoi kërkesën tjetër për rihapjen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin, duke argumentuar se kjo gjë mund të ndodhte vetëm pasi Balili të provonte të kundërtën e rezultateve të hetimit për kriterin e pasurisë.
Marsela Balili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2004, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2009. Me vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Balilit iu hoq imuniteti dhe u pezullua nga detyra në vitin 2009, pasi Prokuroria nisi një procedim penal ndaj saj dhe bashkëshortit prokuror, Aleksandër Plepi për veprën penale të korrupsionit.
Në fund të procesit, Balili u shpall e pafajshme ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 1 vit burg. Marsela Balili u rikthye në sistemin e drejtësisë me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2017 si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shkrirjes së kësaj gjykate, ajo u caktua përkohësisht anëtare e Gjykatës së Posaçme deri në marrjen e një vendimi nga institucionet e vetingut.