Policia Rrugore ka ushtruar kontrolle gjatë natës në aksin Tiranë- Durrës-Tiranë ku janë kryer kontrolle të pandërprera me Radar për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Nga kontrollet janë konstatuar të paktën 20 drejtues mjetesh me shpejtësi nga 141 km në orë deri në 191 km në orë, të cilën vetë policia e cilëson si shpejtësi vrastare. 20 shoferë janë dërguar në komision nga policia, duke parandaluar 20 aksidente që mund të shkaktonin.
“191 km/h . E pa pranueshme kjo shpejtësi vrastare. Për 300 minuta kontroll me radar në këto akse rrugore deri në këto momente u konstatuan 20 raste të shpejtësi tej normave të lejuara që varionin nga 141 km/h deri në 191 km/h.
20 drejtues mjetesh u dërguan ne OASH, por u parandaluan 20 aksidente.
Shpejtësi pa asnjë urgjencë, pa asnjë shkak, shpejtësi që vret jetën, cenon rëndë sigurinë rrugore të përdoruesve të tjerë të rrugës, shpejtësi që në shumë raste fatkeqe patenta është dërguar pa të zotin pranë familjes. Radari dhe polici rrugor në këto raste”, shkruan policia e Shtetit duke iu bërë apel drejtuesve të mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.
“Drejtues mjetesh: Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti të ndalojë ju. Gjithmonë kujto; qarkullojmë më ngadalë për të jetuar më gjatë. Drejto automjetin duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugorë; dikush po pret në shtëpi. Binduni policisë rrugore; ndiqni rregullat e trafikut për të shmangur aksidentet. Jeta është e shtrenjte, mbrojeni atë”, apelon policia.