Uljen e opozitës në një tryezë bisedimi me maxhorancën për realizimin e reformës zgjedhore, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cilëson si një arritje të opozitës, pasi siç thotë ajo Rama u detyrua të pranojë zgjidhjen e opozitës. Por ndërkohë janë të shumta deklaratat e Ramës që fton opozitën të vijë në komision dhe të parashtrojë propozimet e saj për reformën zgjedhore. Madje në jo pak raste Rama ka thënë se do të pranojë të gjitha propozimet e opozitës që janë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Në fjalën e mbajtur në një takim që zhvilloi të shtunën në Korçë me strukturat e LSI, Kryemadhi tha se opozita përmbushi një nga kushtet e Bundestagut gjerman për Shqipërinë.
“Opozita e Bashkuar e detyroi Rilindjen dhe Edi Ramën të pranojë zgjidhjen e opozitës për reformë zgjedhore, e cila i hap rrugën jo vetëm integrimit të vendit, por edhe krijimin e mundësive reale për zgjedhje të lira të ndershme e të parakohshme.
Opozita mori përgjegjësinë e saj përpara jush për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman jo vetëm e tij por dhe e bashkimit europian, për të bërë të mundur hapjen e negociatave në muajin mars. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet dhe mosdashjen e saj për të integruar vendin në BE.
Tashmë i duhet kësaj Qeverie të paaftë të mos mbajë më peng të ardhmen Evropiane të Shqipërisë. Tashmë është kjo Qeveri e lodhur që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman. Tashmë është kjo Qeveri dhe ky Parlament monopartiak, që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës.
Me marrjen e përgjegjësisë nga ana e Opozitës së Bashkuar për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që ne mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve. Sepse për ne Shqipëria është e para! E ardhmja Evropiane e saj është e para!”, tha Kryemadhi, duke e mbyllur fjalimin me sloganin “Shqipëria është e para”, slogan ky që përdoret shpesh nga presidenti Ilir Meta.