Zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka reaguar me ironi kundër vendimit të gjykatës që pushoi akuzën për falsifikim për Lulzim Bashën në lidhje me dosjen e lobimit në SHBA. Braçe thotë se pavarësisht se Basha e pranoi vetë duke deklaruar se Nik Muzin ka marrë 500 mijë dollarë nga PD përmes fondeve të mbledhura nga shqiptarë të PD në Amerikë, Gjykata e shpalli të papërdorshëm.
“Për ta shfajësuar nga një akuzë e rëndë, gjykatësi i tij ka shpallur dëshmitë e tij, fjalën e tij, betë e tij, Lulzim Bashës, domethënë, të papërdorshme. Nuk ka gjë më të rëndë për një politikan se sa një gjykatës ta shpallë fjalën e tij të papërdorshme. Si mund të besohet ky njeri kur flet e për më tepër kur zë be, pasi gjykatësi e shpall të papërdorshëm? Lulzim Basha e ka pranuar në një video me zë e figurë, publikisht se Nik Muzin-partneri i tij, ka marrë 500 mijë dollarë nga PD përmes fondeve të mbledhura nga shqiptarë të PD në Amerikë. Betohet dhe është i sigurt për faktin dhe ligjshmërinë e tij në Amerikë. Por gjykatësi i tij thotë në vendim që Nik Muzin nuk i ka marrë këto para. Lulzim Basha ka folur para se të flasë gjykatësi. Ndaj gjykatësi, në baze të alibisë së avokatit të Lulzim Bashës, nuk kemi paguar para për Nik Muzin, shpall të papërdorshëm Lulzim Bashën”, shkruan Braçe.
Ai e akuzon gjyqtarin Lazër Sallaku që pushoi akuzat kundër Bashës duke e cilësuar si llum. “Si mundet njeriu gjykatës të katandiset deri këtu sa të vendosë që atë që ti thua, dëshmon, betohesh mbi të, të refuzoje ta marrë parasysh?! Ky nuk është sistem drejtësie! Ky është llum!”, shprehet Braçe.