Kryebashkiakët e socialistë që kanë gënjyer me plotësimin e formularit të dekriminalizimit, Ervis Iljazaj i cilësoi ose naivë e të papërgjegjshëm ose kanë mbrojtje politike. Iljazaj tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla se është e pamundur që Partia Socialiste të mos e ketë ditur të shkuarën e 61 kryebashkiakëve, dhe sidomos të atij të Bulqizës, që është edhe një komunitet i vogël.
“Po e damkosin rëndë pushtetin lokal në Shqipëri gjithë rastet që po dalin pas 30 qershorit. Ligji i Dekriminalizimit është shumë i ashpër. Jo të gjithë ata që i ndalon ligji, janë kriminelë. Ne kishim një të keqe ekstreme dhe duhej një mjet ekstrem për ta luftuar. Një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare është e “inkriminuar”, ky është fenomen i tranzicionit shqiptar, që po reflektohet dhe në politikë. Ka përgjegjësi politike këtu, edhe personale. Ka raste, nuk i kam të verifikuara, ku PS i ka ditur veprat e këtyre kandidatëve, por edhe raste kur nuk i ka ditur. E gjykoj të pamundur të mos dish të shkuarën e 61 kryebashkiakëve, sidomos në komunitete të vegjël, si Bulqiza” tha Iljazaj, i cili shtoi se edhe PD pikëriksht prandaj i ka zbuluar këto raste me denoncime nga komuniteti dhe këtë gjë mund ta di dhe PS-ja për kandidatët e saj. Si i ka gjetur PD? Fare lehtë, me denoncime njerëzish, nga komuniteti. Këtë gjë mund ta dijë shumë edhe partia që i kandidon. Si e marrin guximin këta që nuk e tregojnë veprën penale, në një kohë që flitet për Dekriminalizimin? Ose ata janë naivë dhe të papërgjegjshëm personalisht, ose kanë mbrojtje politike”, tha Iljazaj.