Grenell me Kurtin, kërkon heqjen e taksës me Serbinë

KOSOVA


I dërguari i posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë paraditen e kësaj të enjteje është takuar me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Grenell pas takimit me Kurtin është shprehur se çështja e formimit të qeverisë nuk i përket atij, por deklaroi se kërkon që hiqet taksa 100% ndaj mallrave serbe.

“Jam duke u munduar që të injoroj përplasjet politike dhe të koncentrohem në rritje ekonomike dhe për këtë kam kërkuar nga Kurti dhe do të kërkoj edhe nga politikanët tjerë që është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje në zhvillim ekonomik që tarifa 100 për qind të hiqet. Kjo është një gjë që duhet të largohet. Në të njëjtën kohë, fushata për tërheqje të njohjeve nga Serbia duhet të ndalet. Unë do ta përcjell të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Ky është mesazhi që e mbaj këtu sot edhe në Serbi”, shtoi Grenell.

Po ashtu, ai foli dhe për çështjen e formimit të qeverisë. “Çështja e formimit të qeverisë nuk është ajo për të cilën do të flas, ne të gjithë po shijojmë nga jashtë. I thashë zotëri Kurtit se vendet si Britania e Madhe dhe Gjermania kanë luftë të madhe në formimin e koalicioneve për qeverisje. Ne vetëm po shikojmë se çfarë po ndodh. Ju inkurajojmë të respektoni rregullat ashtu siç bëjnë të gjithë dhe të shoh se edhe vendet e tjera përballen me probleme në koalicione”, tha Grenell.



Skip to toolbar