Pas raportit të Transparency International për korrupsionin, sipas të cilit Shqipëria ka rënë 7 vende në renditjen botërore krahasuar me një vit më parë, ka reaguar kryetari i PD, Lulzim Basha i cili ka akuzuar qeverinë, e cila sipas tij po shkatërron ekonominë. Madje Basha ka publikuar edhe një tabelë që reflekton rënien e Shqipërisë në renditje çdo vit duke nisur nga viti 2016 dhe deri në 2019, por nuk ka zbuluar shifrat e viteve kur qeveria drejtohej nga PD, shifra të cilat nxjerrin keq PD, pasi në ato vite Shqipëria renditej në vendin 113, ndërkohë që në 2019 renditet në vendin 106.
“Degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes Rama, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International. Korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga kjo organizatë, për shkak të qeverisjes aktuale, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupsionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit.
Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia.
Ja pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipërinë”, shkruan kreu i PD-së.
Realstory verifikoi sesi ka qenë niveli i perceptimit të korrupsionit para vitit 2013 në Shqipëri, kur qeveria drejtohej nga Partia Demokratike, sot në opozitë jashtëparlamentare. Nga një verifikim i shkurtër rezulton se në vitin 2013, Shqipëria renditej në vendin 116, pra 10 vende më poshtë dhe kishte vetëm 31 pikë, ose 5 pikë më pak se në vitin 2019. Ndërsa në vitin 2012 ka qenë 3 vende më lart, konkretisht në vendin 113 me 33 pikë. Pra në vitin e fundit të pushtetit ka shënuar rënie me dy pikë dhe tre vende. /Realstory.al