Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin e qeverisë për amnistinë duke miratuar propozimin e deputetit Alket Hyseni që nga amnistia të përfitojnë edhe të dënuarit deri më 31 dhjetor 2019 që plotësojnë kriteret ligjore. Fillimisht kryetari i komisionit Ulsi Manja kërkoi që efektet e amnistisë të shtyheshin në momentin që hyn në fuqi, por ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se nëse miratohej në këtë formë kush ka bërë krim dorëzohet dhe përfiton nga amnistia. Në këtë moment ka ndërhyre deputeti Hyseni i cili propozoi që efektet e ligjit të shtyheshin deri më 31 dhjetor duke shtuar numrin e të dënuarve që përfitojnë nga amnistia. Sipas ministres pritet që nga ky ligj të përfitojnë rreth 700 të dënuar.
Projektligji i qeverisë për amnistinë pësoi ndryshime edhe gjatë ditës së mërkurë kur u diskutua në komisionin e Sigurisë Kombëtare. Ndryshimi i parë lidhet me penalizimin e të gjithë atyre që janë dënuar për shkak se kanë vjedhur. Të dënuarit për vjedhje e grabitje nuk përfitojnë nga ky projektligj ndërsa u pranua propozimi i deputetes Ermonela Felaj që të lirohen nga burgu personat e dënuar për ndërtim pa leje.
Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata që janë dënuar për dhunë në familje, krime seksuale apo korrupsion.
Kategoritë që përfitojnë nga amnistia:
1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.