Ndërsa Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (Spak) ka regjistruar procedimin ndaj kryetarit të Bashkisë së Bulqizës; Lefter Alla, ka reaguar në lidhje me videon ku dyshohet se ai është duke konsumuar kokainë. Përmes një postimi në “Facebook”, kryebashkiaku Alla thotë se është nisur drejt Tiranës për të depozituar një padi penale ndaj ish deputetit të PD-së, Ervin Salianji, ndërsa thekson se cilido që e akuzon duhet të presë përfundimet e prokurorisë dhe gjykatave. Alla gjithashtu thotë se ka qenë në dijeni të videos që një vit më herët, por thekson se ajo është një montazh i bërë në zyrat e PD-së, ndonëse video u shfaq në media nga gazetari Artan Hoxha.
“Dua të informoj opinion publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh të publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare.
Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës”, shkruan Alla.