PD çon në SPAK koncesionin për “Check-Up”

AKTUALITET


Partia Demokratike ka dërguar në SPAK dosjen për koncesionin e check-up (kontrollin bazë mjekësor), duke akuzuar qeverinë se u ka vjedhur shqiptarëve jo pak por 120 milionë euro përmes këtij koncesioni. Ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi tha përmes një deklarate për mediat se PD disponon prova se qendrat shëndetësore po plotësojnë formularë të vitit 2015. Ajo tha koncesioni është korruptiv dhe për këtë duhet të përgjigjet si Edi Rama ashtu dhe Vilma Nushi.

“Koncesioni 120 milionë euro i check-up është një nga vendimet më korruptive të Edi Ramës, që ka dëmtuar rëndë sistemin e shëndetësisë në Shqipëri. Edi Rama, Vilma Nushi dhe kushdo zyrtar tjetër që ka firmosur për këtë koncesion që vjedh shqiptarët duhet të përgjigjet përpara drejtësisë. Për këtë arsye, Partia Demokratike ka vendosur të dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion provat e reja që disponon dhe që provojnë se koncesioni manipulon formularët ndër vite për bërjen e analizave.

Këto të dhëna faktojnë se në Qendrat Shëndetësore janë shpërndarë me mijëra formularë të vitit 2015, të cilët duhen mbushur sipas informacioneve që po çon koncesionari këto muajt e fundit. Partia Demokratike disponon, gjithashtu, fakte se përfundimi i analizave që bëhen nga koncesioni korruptiv i Edi Ramës është i ndryshëm nga të njëjtat analiza të kryera në privat apo në shtet. Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë mjekëve të qendrave shëndetësore të mos plotësojnë asnjë formular të analizave të checkup-it për vitet e shkuara, të mos bëhen pjesë e manipulimit, pasi ky koncesion korruptiv do të shkojë para drejtësisë”, tha Vokshi.

Ish deputetja e PD-së, gjithashtu tha se check-up nuk është falas sikurse thotë qeveria, por shqiptarët paguajnë 15 euro për çdo analizë.

“Ka edhe një mashtrim tjetër të madh nga Edi Rama. Check-up nuk është falas, siç propogandon ai. Shqiptarët jo vetëm paguajnë rreth 15 euro për një analizë, shumë më shtrenjtë se në privat, por paguajnë edhe për qindra mijë analiza të tjera që nuk bëhen kurrë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se për tre vitet e para, Vilma Nushi është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 mln Euro për rreth 500 mijë analiza të pabëra asnjëherë. Po ashtu, financuesja e Edi Ramës ka marrë pagesë TVSH-je në mënyrë të paligjshme për shërbime që përjashtohen nga ky tatim. Për të mbuluar skandalin e Check- up, të firmosur prej tij vetë dhe duke mbrojtur aferat e tjera korruptive, Edi Rama kërcënon me padi kundërshtarët politikë dhe me mbyllje mediat që i denoncojnë ato”, tha Vokshi, e cila i bëri thirrje SPAK që të hetojë pa vonesë dhe me prioritet këtë dosje dhe të çojë prapa hekurave kushdo që ka vjedhur shqiptarët.



Skip to toolbar