“Do të mbaj në bagazh e do të thyej kokën”, burg për Dishin

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Noel Dishin, i cili akuzohet se vrau mikun e tij të fëmijërisë Vilson Tafçiut, më 20 janar në një lokal në zonën e Astirit në Tiranë. Togat e zeza vendosën të njëjtën masë që kërkoi dhe prokuroria, ndërsa i riu akuzohet për veprën penale vrasje me dashje.

Noel Dishi i cili pranoi se ka qëlluar me plumba dhe ka vrarë shokun e tij Vilsion Tafçiun ka dalë para gjykatës ku ka dhënë të tjera detaje. Ai ka thënë se rreth 2 vite e gjysmë më parë është rrëmbyer me makinë në Durrës. Ai ka thënë se 3 persona e kanë rrëmbyer, e kanë futur në bagazhin e një makine dhe më pas e kanë lënë të lirë në Vorë. Rrëmbimi u hetua nga Krimet e Rënda por me shkrirjen e tyre dosja kaloi në prokurorinë e Durrësit.

Ditën e ngjarjes Dishi ishte në prokurorinë e Durrësit ku dha deklarime për rrëmbimin. Ndërsa në sallën e gjyqit ai dha detaje nga vrasja e Vilsonit. Ai tha se ishte Vilson Tafçiu ai që e kishte marrë në telefon dhe e kishin lënë të takoheshin tek një lokal në zonën e Astirit.

 “Debatuam dhe Vilsoni më tha se do ta bëj me keq se sa ta kanë bërë. Do të mbaj në bagazh të makinës dhe do ta thyej koken. Më pas edhe me shau. Tentova të largohesha, por ai vijonte me të njëjtën mënyrë. Atëherë e kam qëlluar. U trondita kur kuptova se çfarë bëra”, tha Dishi në gjyq.

Një ditë me herët ai tha se Vilsonin e kishte pasur si një njeri të familjes dhe se kishin hyrë e dalë disa herë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Dishi tha se Vilsoni e kishte sharë nga nëna, ndaj dhe ai e kishte qëlluar, ndërsa pas krimit ishte fshehur në një hotel në Kavajë.

Vilson Tafçiu u qëllua me 3 plumba në një lokal në zonën e Astirit në Tiranë, ndërsa vrasësi i tij, Noel Dishi u vetëdorëzua në polici disa ditë më pas.  



Skip to toolbar