Vjedhjet e banesave në godinat e dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor vazhdojnë të mbeten shqetësim në Durrës. Rasti më i fundit është shënuar në lagjen 18 të këtij qyteti, në pallatin fqinj me godinën e banimit, ku humbën jetën shtatë persona nga familjet Reçi e Karanxha. Hajdutët kanë hyrë në një nga apartamentet, duke thyer derën e blinduar dhe duke marrë prej saj shumë nga orenditë.
“Kanë marrë të gjitha orenditë që na duhen. Tentoj tani të hap derën dhe shikoj se dera u hap direkt. Shuli i derës ishte në vend, siç hapet normalisht, e shtyj derën pash që kasat ishin të thyera. Vajta direkt tek dera e djalit dhe nuses, të gjitha gjërat ishin shkatërruar, se djali sa ishte martuar. Ende nuk e dimë se çfarë kishin marrë. Shtëpia është e re. U larguam nga tërmeti si gjithë banorët e tjerë”, shprehet një nga banorët.
Më herët edhe banorët e një kompleksi pallatesh denoncuan vjedhjet ndërsa hajdutët kanë shfrytëzuar situatën pasi rreth 280 banorë kishin lënë shtëpitë e tyre, duke lënë në to sende dhe shtëpiake me vlerë.