Drejtoresha e spitalit rajonal të Beratit, Edlira Shkëmbi, ka deklaruar se foshnjat kanë mbërritur pa jetë në spital dhe se nuk dihet nga se është shkaktuar vdekja e tyre dhe si ka qenë ecuria gjatë pesë muajve, pasi ato nuk ishin vizituar më parë në këtë spital. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Shkëmbi është shprehur se në momentin e mbërritjes në spital, binjakët kishin mbi një orë që kishin ndërruar jetë.
“Ditën e sotme rreth orës 10.00 në shërbimin e Pediatrisë u paraqitën dy fëmijë binjakë (djem) të moshës 4 deri 5 muaj banues në lagjen Uznovë, shoqëruar nga nëna e tyre. Mjeku pediatër referon se fëmijët ishin të dy pa shenja vitale në momentin që kanë ardhur në spital dhe mund të kishin 1 orë që mund të kishin vdekur. Në këto kushte, mjeku thjesht ka konfirmuar vdekjen pa pasur mundësi të jepte ndihmë mjekësore. Fëmijët nuk janë paraqitur më parë në spital për vizitë dhe nuk kemi informacion mbi historikun apo problematika për shëndetin e tyre. Fëmijët u transferuan në Morgun e Spitalit. Menjëherë u ftua mjekësia ligjore dhe policia për të gjetur shkakun e vdekjes”, tha drejtoresha e Spitalit të Beratit Edlira Shkëmbi.
Shefi pavijonit të Pediatrisë, Vladimir Kumaraku u shpreh për mediat shkaku i vdekjes së dy foshnjave është mister deri tani. Ai tha se prindërit i sollën pa shenja jete, ndërsa tani priten përgjigjet nga mjekësia ligjore.
“Dy fëmijët binjakë erdhën në repartin e Pediatrisë pa shenja jete, kishin filluar shenjat që vdekja ka ndodhur minuta përpara. U mbajtën në repart derisa erdhi policia e Beratit, drejtoria, mjekësia ligjore dhe pastaj filluam procedurat për shkakun. Është një ngjarje që na trondit të gjithëve, por shkaku mbetet enigmë. Ardhja e tyre ishte rreth orës 10:00 dhe u bënë të gjitha veprimet. U dërguan në morgun e spitalit, atje vijoi më pas procedura. Nuk kanë qenë fëmijë në ndjekje mjekësore deri në çastin e vdekjes, familjarët nuk paraqitën gjë konkrete, por i sollën pa shenja jete”, tha ai.