“Jeto sot të frymëzosh të nesërmen”. Kryeministri Rama e ka nisur mëngjesin e së hënës me një fjalë të çmuar të ish basketbollistit të njohur amerikan Kobe Bryant i cili u nda nga jeta mbrëmjen e së dielës në një aksident ajror. Vdekja e tij e papritur ka trishtuar miliona njerëz në botë, përfshirë edhe kryeministrin shqiptar i cili në rininë e tij ka qenë basketbollist. Menjëherë pas lajmit të dielën në mbrëmje Rama ka postuar në facebook foton e yllit të NBA së bashku me “emoji” në lot, duke shprehur trishtimin e tij.
Vdekja e Kobe Bryant ka trishtuar edhe presidentin amerikan Donald Trump i cili e ka cilësuar ndarjen e tij nga jeta një lajm të tmerrshëm.
“Raportimet janë se basketbollisti i madh Kobe Bryant dhe tre të tjerë kanë vdekur pas përplasjes së helikopterit në Kaliforni. Ky është një lajm i tmerrshëm”, shkruan Trump.
Kobe Bryant ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti me helikopter. Bashkë me të fatkeqësisht ka ndërruar jetë edhe vajza e tij Gianna Maria 13-vjeçe, e cila po udhëtonte me të njëjtin helikopter.