Shifra zyrtare, dëmi nga tërmeti, 985 milionë euro

AKTUALITET


985 milionë është dëmi që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Fatura zyrtare u zbulua nga ministri Fuqiplotë, Bledi Çuçi ditën e sotme. Më këtë faturë tashmë Shqipëria do t’i drejtohet Konferencës së Donatorëve në 17 Shkurt në Bruksel.

“Nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit u prekën 202291 persona nga 11 bashki të vendit. Një kontribut i madh erdhi nga miqtë ndërkombëtarë. Vetëm një javë pas tërmetit qeveria kërkoi mbështetjen e BE-së, OKB-së dhe BB për një proces për të identifikuar dëmet dhe nevojat.

60 ekspertë të huaj dhe vendas dhe zyrtarë shqiptarë e përfunduan raportin në 30 janar. Është punuar me ritëm të lartë. 50 mijë ndërtesa u verifikuan dhe u verifikuan 100% ndërtesat me rrezikshmëri të lartë. Me këtë dokument do të shkojmë në Konferencën e Donatorëve”, tha ai

Ndërkaq edhe zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë ka publikuar të dhënat mbi dëmet e tërmetit.

“Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës (VNPK) pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor 2019 u publikua sot për të shërbyer si bazë për mobilizimin e komunitetit të donatorëve për fazën e rimëkëmbjes. Vlerësimi, i përgatitur bashkërisht nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, zbulon se efektet totale të katastrofës në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura arrijnë në mbi 980 milionë Euro.

Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e banesave, pasuar nga sektori prodhues (si biznesi dhe turizmi, bujqësia dhe trashëgimia kulturore) dhe sektori arsimor. Për të adresuar efektet e dëmit dhe të ardhurave të humbura si rezultat i tërmetit, vlerësimi arriti në përfundimin se do të duheshin gati 1.08 miliardë Euro në të gjithë sektorët për rimëkëmbje. Sektorët që reflektojnë nevojat më të mëdha janë strehimi, që përfaqëson pothuajse 76% të të gjitha nevojave, pasuar nga arsimi dhe infrastruktura.

Komisioni Evropian do të organizojë një konferencë të donatorëve më 17 shkurt, në Bruksel, për t’i ofruar komunitetit ndërkombëtar mundësinë për të shpallur mbështetjen e tij, për t’i ndihmuar institucionet shqiptare të menaxhojnë ndikimin e këtij tërmeti, si dhe për të krijuar rezistencë ndaj katastrofave të ardhshme natyrore.” – thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së



Skip to toolbar