Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke dhënë detaje për takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se dëshiron që në këtë dekadë të tretë të ketë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona.
“Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi i Adem Jasharit, qyteti i parë ishte Mitrovica, shteti i parë patjetër që duhet të ishte Shqipëria. Të falënderoj për mikëpritjen dhe bisedën që kishim, shumë konstruktive. Dua që në këtë dekadën e tretë të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri cfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona, pra ato janë prioritet i njëra tjetrës dhe nuk presin në asnjë fushë”, tha Kurti.
Ai theksoi se ranë dakord për një komision ndërshtetëror, përbërë nga ministra dhe deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar të zbatohen por edhe të shtohen me të reja.
“Duam ta shtojmë bashkëpunimin, duke e thelluar dhe duke e zgjeruar atë. Kosova nuk do ta dilte Serbisë në luftë e as në paqe pa Shqipërinë, ne kurrë nuk e harrojmë këtë dhe duam që të ecim bashkë, shpejt e fuqishëm. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë arsimit, sigurisë e të politikës së jashtme, fushat në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe aleatët tanë demokratikë të zhvilluar e perëndimor janë po të njëjtët”, tha ai.