“NEWBORN” ndryshon pamje për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

KOSOVA


Monumenti NEWBORN, i njohur si simbol i pavarësisë, i vendosur në kryeqytetin kosovar, ka sot një pamje të re në kuadër të 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Çdo 17 Shkurt Monumenti NEWBORN tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar pamjen e ndonjëherë edhe formën.

Krijuesi i “NEWBORN” Fisnik Ismaili shprehet se “këtë vit pamja e re e monumentit i kushtohet viktimave të abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës”.

“Sivjet NEWBORN synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar. Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri”, thekson Ismaili.

Vizualisht, këtë vit NEWBORN është në ngjyrën e zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa W është mbuluar me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

“Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës shtrihet te gërmat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë. Secila prej germave të zeza përmban edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. Ne kemi për qëllim t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për përvojat e tmerrshme nëpër të cilat u detyruan të kalonin këto viktima”, – thekson Ismaili.

NEWBORN shndërrohet në akronim, ku secila gërmë e nis një fjalë, duke e përpiluar këtë fjali, të shkruar në pjesët anësore të monumentit:
Never
Ending
Wars
Bring
Oppression,
Rape &
Neglect



Skip to toolbar