Tirana jonë dhe Tirona e atyre

Më të fundit


Nga Roland Qafoku

Nuk mund ta parashikoj dot se si do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë nëse do të ishte caktuar Vlora, Durrësi, Shkodra, Korça, Elbasani, Kruja apo edhe Belshi, për të cilët është debatuar fort. Por them me bindje se asnjë qytet tjetër, përveç Tiranës, nuk do ta kishte arritur këtë status zyrtar, ekonomik dhe social që ka marrë Tirana në këta 100 vjet.

Asnjë qytet tjetër nuk do të ishte bërë më i madhi, më i rëndësishmi dhe më i gjithëpranuari sa Tirana. Akoma më e rëndësishme se kaq: asnjë qytet tjetër nuk do të ishte kthyer në qendrën e rëndesës të të gjitha trojeve shqiptare.

Vërtet Kosova ka si qendër Prishtinën, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë Tetovën, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë Preshevën, shqiptarët e Malit të Zi kanë Ulqinin, arvanitasit kanë Janinën, por qendra e qendrave të të gjitha trojeve shqiptare prej një shekulli është Tirana.

Meritë së pari ka Ahmet Zogu që, edhe pse pas Kongresit të Lushnjës e dërgoi i detyruar qeverinë “në qytetin e mamasë”, ato ditë të ftohta shkurti të vitit 1920, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, ai mori një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të drejta në karrierën e vet dhe për këtë i jemi mirënjohës në jetë të jetëve.

Por, më shumë se bëma e “matjanit që ishte çun tirons nga mamaja”, meritë ka një popull i tërë, brenda dhe jashtë vijës së verdhë, që për një shekull priti, përcolli, pranoi e bashkëjetoi me këdo pa asnjë dallim, duke e bërë Shqipërinë dhe duke e kthyer kryeqytetin në zemberekun e saj, edhe pse në jo pak raste u arrit duke sakrifikuar jo pak e duke konfirmuar shprehjen “lum Tirona e mjerë tironsit”.

Janë të paktën 10 arsye që për ne që nuk jemi vendalinj, të mendojmë se Tirana kryeqytet ishte dhe mbetet një mrekulli.

1- Tirana dhe vetëm Tirana tregoi më shumë se çdo qytet tjetër që mund të presë jovendalinj në çdo kohë, në çdo rrethanë, në çdo mënyrë, pse jo, edhe me çdo çmim. Tirana pranoi banorët e qyteteve, fshatrave të tjera si kryeqytet e pa asnjë lloj konflikti, pa asnjë debat, sherr apo pakënaqësi.

Nuk është shënuar asnjë konflikt i banorëve të Tiranës me të ardhurit pikërisht me arsyen se nuk është vendali. Banorët e Tiranës hapën zemrat e tyre edhe për popullsinë që erdhi këtu, madje dhe vazhdon ta bëjë akoma. E bëri këtë si kryeqytet, por e ka dhënë provën se e ka bërë edhe kur nuk ka qenë i tillë. Dibranët e vërtetojnë këtë më mirë.

Aq mikpritës u treguan tiranasit në vitet 1914-1915, por edhe në vitet ‘20, saqë u dhanë edhe tokë të posaçme, duke u dhënë mundësi të krijojnë lagje më vete. A do të ndodhte kjo në Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan e Krujë? Fakti që nuk ndodhi, nuk mund të hamendësojmë se edhe ato qytete do t’i mirëprisnin si në Tiranë. Por fakti real është që Tirana tregoi zemër të madhe në një kohë mjaft të shkurtër.

2- Tirana dhe vetëm Tirana pranoi organet e dala nga Kongresi i Lushnjës pa asnjë hezitim. Pa detyrim, pa zemërim, por me shumë dëshirë, banorët e Tiranës hapën shtëpitë e tyre për institucionet e shtetit shqiptar në emër të patriotizmit për të rithemeluar shtetin.

Qeveria, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar, ose Parlamenti, u vendosën në fillim në shtëpitë e banorëve të Tiranës, një veprim që me kalimin e viteve mori vlera të papërsëritshme. Nuk u tha kush ministrave dhe deputetëve sa para duhet të paguanin për zyrat, por i vunë në shërbim të tyre, duke kryer një akt të jashtëzakonshëm në shërbim të vendit.

Nuk e kam kuptuar asnjëherë se si në Durrës disa tentuan ta vrisnin Ismail Qemal Vlorën, kur ai tentoi ta shpallte pavarësinë aty ato ditë nëntori të vitit 1912 dhe për pasojë ai shkoi në qytetin e lindjes për ta bërë këtë. Nuk duhet të kenë qenë banorë autoktonë të Durrësit ata që e bënë këtë.

Të atij Durrësi që kur u themelua në vitin 1300 para Lindjes së Krishtit, Roma dhe Athina nuk njiheshin as si emër, ndërsa Parisi, Madridi, Berlini nuk ishin as stacione për pushimin e kuajve.

Megjithatë, Ismail Beun në rastin më të mirë “durrsakët” nuk arritën ta mbronin dhe në rastin më të keq e sulmuan. Madje, ishin Toptanët e Tiranës që i shpëtuan jetën. Nuk ndodhi kjo në asnjë rast me Tiranën që në momentet më deçizive të kombit ka marrë vendime në interes të tij.

3- Tirana dhe vetëm Tirana kishte jo vetëm mundësinë, por edhe dëshirën që të shtrihej në çdo cep të hapësirës që rrethonte qytetin ekzistues. Një dibran, matjan, skraparlli, vlonjat, tepelenas, por edhe kosovarë kanë ndërtuar ku ka pasur dëshirë. Të përzier ose jo me popullsinë vendëse, ata kanë pasur dorë të lirë të jetonin në cilindo cep të kryeqytetit. Madje, duke ndryshuar qendrën historike e duke ndërtuar edhe një qytet të dytë ngjitur me Tiranën, në çifligun e Toptanëve, në atë që sot është qyteti i Kamzës. Po a mund të ndodhte kjo në Vlorë, Shkodër, Durrës e gjetkë? Besojmë se jo.

4- Asnjë qytet tjetër sa Tirana nuk do të kishte qenë kaq pak lakmitarë ndaj pushtetit politik. Edhe pse me jo me pak resurse intelektuale, tiranasit nuk kanë synuar kurrë pushtet qendror. Pa u caktuar Tirana kryeqytet, Shqipëria kishte pasur tre kryeministra, një prej tyre ishte Esad Pashë Toptani nga Tirana.

Ai ishte një nga politikanët dhe ushtarakët më me ndikim në Shqipëri dhe sot mbetet një nga figurat më të diskutuara dhe të debatuara të historisë. Por për shumë dekada, tiranasit në pushtet mbetën tek Esadi. Janë me gishtat e dorës personalitetet politike që kanë drejtuar Shqipërinë në ekzekutiv pas tij.

Aq sa të mendosh se vetëm pas 87 vjetësh kryeqytet, Tirana nxori një drejtues shteti 24 karat tiranas si Presidenti i Republikës Bamir Topi. A mund të ndodhte ko në Vlorë, Shkodër, Durrës, Korçë etj.? Besojmë se jo.

5-Asnjë qytet tjetër si Tirana nuk do të kishte pranuar që pushtetarët të merrnin aq shumë vendime negative ndaj qytetit të Tiranës, duke shkatërruar dhe tjetërsuar lagje të tëra të tij dhe duke mos qenë banorë autoktonë të Tiranës.

Prishja e xhamisë së Sulejman Pashë Bargjinit, e cila ishte edhe qendra e Tiranës së vjetër dhe aty ku u themelua qyteti në 1614, prishja e pazarit, e godinës së Bashkisë, e kishës ortodokse dhe e shumë objekteve të tjera, janë veprime kriminale të shkallës më të lartë të ndërmarra ndaj Tiranës, duke i shkatërruar jo vetëm thjesht memorien, por edhe pjesën më të bukur të saj.

Tirana është i vetmi kryeqytet në botë që të vetmes rrugë që nuk i është ndryshuar emri është rruga “28 Nëntori”, segmenti nga Sahati te Partizani i Panjohur. Tirana është i vetmi kryeqytet në botë që i kanë ndryshuar të gjithë emrat e lagjeve dhe, sipas arkivave, sot mbeten vetëm si toponime folklorike: Brraka, Vorri i Bomit dhe Allias, ndërkohë që janë emrat lagjja “Sulejman Pasha”, lagjja “Xhamia Sherif”, lagjja “Abdulla Bej”, lagja “Tabakët” etj.

Ky është rasti për të kuptuar se çka hequr kjo Tiranë nga prishjet, shkatërrimet, ndryshimet, devijimet të gjitha me karakter politik dhe të mendosh që të gjitha këto janë vendime të marra pa pyetur fare komunitetin e Tiranës, pikërisht ata që e ndërtuan dhe e bënë këtë Tiranë. A mund të ndodhte kjo tolerancë e tepruar në Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë e Elbasan? Besojmë që jo.

6- Tirana ka një raport fantastik me të huajt joshqiptarë. Në fakt, i huaji për shqiptarin ka qenë një lloj mbreti, por besoj ky zakon i lashtë në Tiranë ka mbarur edhe më shumë vlerë. Nuk më rezulton asnjë i huaj që ka lënë shënime që të mos jetë mrekulluar nga natyra e Tiranës dhe nga banorët e saj. Ka qenë fat që Tiranën e kanë vizituar shumë personalitete të artit dhe letrave që nisin nga piktori anglez Eduard Lir e deri te gazetarë dhe shkrimtarë të famshëm.

Unë po zgjedh se si e përshkuan Tiranën në vitin 1939 Indro Montaneli, një nga gazetarët më të mëdhenj italianë dhe ndoshta edhe në botë në kohën që jetoi. “Tirana më la përshtypjen e një mizërie njerëzish të zënë me punë. Njerëz, shumë njerëz, jashtëzakonisht shumë njerëz dhe jashtëzakonisht shumë të veckël, në krahasim me gjigantin vetmitar të malësisë.

Dhe të gjithë këta njerëz janë në punë, qarkullojnë, tregtojnë, flasin, qërojnë qytetin nga vjetërsirat orientale për ta bërë të bukur. Sheshi i saj i gjerë, bulevardet e saj, pallatet ngjyrë okre e tulle pothuajse më fyejnë pas qëndrimit në provincë. Tirana m’u duk qytet i tepruar dhe – të kuptohemi, i tepruar në kuptimin relativ – sepse është vënë në rrugën për t’u bërë kryeqytet perëndimor.

Prandaj, duhet të përpiqet me të gjitha forcat për t’ia dalë mbanë dhe kësisoj gjithçka që shpenzohet në energji dhe para është plotësisht e justifikuar. Do të doja të dija se çfarë mendon fshatari shqiptar, kur nga kasollja e tij periferike dhe gati e shembur, nga toka e tij e mbrujtur me ujëra mbërrin në këtë Tiranë, kryeqytet të tij me vepra publike të hijshme dhe të rëndësishme”.

7- Asnjë qytet tjetër si Tirana nuk do të kishte pranuar që kryeqyteti të mbushej me emra rrugësh, bustesh e nderime aq e tepruara për jotiranasit. Dhe autoktonët që i kanë dhënë Tiranës dhe Shqipërisë nuk duken gjëkundi. Nuk e kam kuptuar asnjëherë shtatoren e Selam Musait në rrethrrotullimin e rrugës “Komuna e Parisit”.

Edhe nëse do të kishte një nderim për luftën e Vlorës, ai i takonte Qazim Koculit, komandantit ushtarak të asaj lufte dhe jo një çobani me kërrabë në krah që çfarëdo të ketë bërë në atë luftë heroike, nuk mund të kthehet në simbol për të nderuar kryeqytetin.

Ashtu siç nuk kam kuptuar se si në Tiranë nuk ka një memorial për familjen Toptani që i mjafton treshja Murat, Abdi e Refik për t’i bërë një nder që e meriton prej dekadash: Murat Toptani si delegat dhe firmëtar i Pavarësisë në Vlorë, Abdi Toptani si delegat, firmëtar i aktit të Pavarësisë dhe anëtar i Këshillit të Lartë në Kongresin e Lushnjës, Refik Toptani njeriu që shpalli Pavarësinë më 26 nëntor në Tiranë, që themeloi shkollën shqipe dhe kishte bibliotekë kur ende shqipja nuk shkruhej. Që të tre shkrinë pasurinë e tyre jo vetëm për një Tiranë më të mirë, por për të gjithë Shqipërinë më të mirë. Ah, sa do të më gëzonte ky nderim nëse do të realizohej!

8- Komuniteti i Tiranës nuk është më i organizuari në Tiranë. Ironikisht, dibranët, tepelenasit, skraparllinjtë janë më aktivët në kryeqytet. Kjo vjen vetëm nga një arsye: natyra modeste e banorëve të Tiranës.

Prej disa dekadash funksionon një shoqatë “Tirana” e drejtuar nga Arben Tafaj, e cila ka arritur sukses jo të vogël për të sjellë vlerat reale të Tiranës dhe tironsve. Tafaj ka treguar një shkallë të lartë qytetarie, kur teksa më shumë se një herë ka thënë: “Se kryeqytetar të mirë ne tironsit nuk quajmë thjeshtë pse je autokton, por se je një qytetar i mirë në sjellje, kulturë dhe dije”.

Edhe shoqata e re “Tirona Intellectum” duhet të përshëndetet për atë që po bën në aspekt të sjelljes së vlerave të banorëve të Tiranës, por edhe për organizimit të atyre që janë larguar nga Shqipëria. Megjithatë, të dyja shoqatat nuk e kanë arritur të kenë energjinë dhe kompaktësinë e shoqatave të komuniteteve ardhëse në kryeqytet. A do të ndodhte ky lëshim terreni nëse kryeqyteti do të ishte në Vlorë? Vështirë të besojmë se po.

9- Tirana dhe vetëm Tirana mund të pranonte që gjuha standarde shqipe të mos ishte ajo e dialektit të saj. Zakonisht në histori kryeqyteti ka përcaktuar edhe tendencën e gjuhës standarde, por nuk ndodhi kështu me Tiranën.

Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 sanksionoi që dialekti toskë të ishte baza e gjuhës zyrtare shqipe. U përjashtua dialekti gegë, por u përjashtua plotësisht edhe dialekti si dhe gjuha e banorëve të Tiranës. Edhe sot ka një diskutim se si duhet të shkruhet fjala Tiranë.

Disa tiranas me profesion gazetarë dhe shkrimtarë këmbëngulin ta shkruajnë me o dhe jo a deri tek emri i ekipit të futbollit. Pra, Tirona dhe jo Tirana.

Pavarësisht se personalisht jam kundër kësaj nisme, sepse ekipi i Tiranës nuk është vetëm i autoktonëve, mendoj se Kongresi i Drejtshkrimit duhet të kishte marrë për bazë disa elemente të dialektit të Tiranës, shumë fjalë të të cilit mua më tingëllojnë gati si nota muzikore.

10- Edhe pse nuk jam “tirons”, unë e dua Tiranën sikur të isha vendali. Me të gjitha vlerat, të mirat, butësinë, pranueshmërinë, tolerancën, harmoninë dhe dëshirën e jetës. Janë cilësi që unë, dhe besoj shumë të ardhur, i kemi parë dhe shijuar plotësisht këtu.

E duke u shkrirë me banorët vendës, jo në pak raste edhe ne të ardhurit kemi dhënë, por edhe kemi marrë sadopak nga këto cilësi. Prandaj, them se ky qytet nuk është thjesht dhe vetëm “Tirona” e atyre vendalinjve dhe autoktonëve. Realisht, kjo është e tëra Tirana jonë. Është Tirana e të gjithëve. (Fjala.al)



Skip to toolbar