Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar, menjëherë pasi Presidenti Ilir Meta e ka kallëzuar penalisht atë dhe disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjonaj shprehet se është e gatshme që të përgjigjet para cdo institucioni për akuzat, kurse shton se i “bëhet qejfi që Meta bën kallëzime në SPAK”, pasi tregon se kreu i shtetit po njeh institucionet e reja të drejtësisë
Postimet e Etilda Gjonajt:
- Sikur të mos i mjaftonte politika e dëshpëruar e dhunës verbale, sot Kreu i Shtetit ka gjetur kohën të paraqitet personalisht me të gjithë stafin e tij në zyrën e sekretarisë të SPAK, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj meje dhe stafit tim.
- Në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim zyrtar me Presidentin, reagimi im do jetë institucional kundrejt akteve të tij. E siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë.
- Pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
- Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë të njohur për korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë!