Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.
Por, këto masa, të cilat çojnë hap pas hapi deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështetë masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.
Në anën tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Për dallim nga qëndrimi i SHBA-së, Bashkimi Evropian e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit të Kosovës, për nisjen e heqjes së tarifave për për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një komunikate ka thënë se “ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dyjave palëve”, thuhet në komunikatë.
Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. (REL)