Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është mbledhur në një seancë, ku pritet të dëshmojë edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Gjatë fjalës së tij, deputeti i opozitës në Parlament, Adriatik Alimadhi deklaroi se ende nuk ka mbaruar objekti i pare i hetimit, ndërkohë theksoi se Dvorani është thirrur për zgjerimin e këtij hetimi.
“Ende nuk ka mbaruar objekti i parë i hetimit. Dvorani është thirrur për zgjerimin e hetimit. Duhet të mbarojë hetimi për dekretin e zgjedhjeve”, tha Alimadhi.
Ndërkohë, kryetrari i Komisionit Hetimor Ulsi Manja tha se mazhoranca kërkoi zgjerimin e objektit të hetimit për presidentin Meta, në lidhje me me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ardian Dvorani është paditur në SPAK nga Presidenti Ilir Meta, i cili e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”. Kreu i KED akuzohet nga Presidenti se “ka tentuar të bëjë grusht shtetit”, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni Hetimor për Metën nisi punën gjatë vitit të kaluar, ku synon të hetojë veprimet e Presidentit, që me çdekretimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale.
Kreu i Komisionit, deputeti Ulsi Manja tha se ky komision po ndjek të gjitha fazat procedurale. “Edhe raportin e Komisionit të Venecias do ta presim dhe delegacionin e Komisionin e Venecias e kemi pritur në të gjitha takimet në Tiranë. Jemi në zbatim të fazave që kemi përcaktuar”, tha Manja.
Ndërkohë Ardian Dvorani tregoi detaje nga procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
“Ka qenë një veprimtari 1-vjeçare shumë intensive. KED ka realizuar funksionet e tij në kushte të jashtëzakonshme. Me pritshmëri që vendet vakante do krijoheshin në distanca nga njëra-tjetra. Në vitin 2019 për shumë arsye, në kuadër të procesit të vettingut u krijuan të gjitha vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në ILD dhe gjithçka iu ngarkua për ta ushtruar KED.
Këshilli duhet të përgatiste edhe të gjitha aktet nënligjore që udhëzimet të miratoheshin pa të cilat nuk mund të fillonte procesi i përgatitjes së kandidaturave. Në 2 prill u mbyll ky proces dhe filloi procedura e vlerësimit të vendeve vakante.
Ne ishim në kushtet kur këto afate të shkurtra ishin të tejkaluara me 1-2 vjet dhe duhet t’i bënim këto gjëra njëherësh. Vumë re që në listat e vendeve vakante kishte një numër të konsiderueshëm kandidatësh për disa vende vakante. Gjatë vitit u verifikua dhe një fenomen tjetër që për shkak të ndalimit të kandidimit, një pjesë e vendeve vakante mbetën pa një numër minimal kandidatësh. 57 kandidatë u shqyrtuan për Gjykatën Kushtetuese. 15 kandidatë u tërhoqën, 20 të tjerëve iu ndalua kandidimi dhe mbetën vetëm 6 kandidatë në 4 vendet vakante”, deklaroi Dvorani.
Ai tha se çdo akuzë është spekulim dhe se tërheqja e vëmendjes nga ana e Presidentit të Republikës me shkresën e 31 gushtit të vitit të kaluar ishte e pavend. “Bëmë një proces të barabartë, shumë rigoroz. Çdo ide që hidhet se kemi vepruar në mënyrë të qëllimshme është spekulim. Në 31 gusht 2019 presidenti i drejtohet me një shkresë KED i cili shpreh shqetësimin e tij për situatën e krijuar, shprehet se nuk mund të lejojë faktin që KED të bëjë interpretime përtej asaj që përcakton ligj. Ne jemi një institucion kushtetues i pavarur por që nuk ka lidhje me institucionet e tjera. Presidenti i vonuar në kohë dhe në tejkalim në funksionin kushtues.
Tërheqja e vëmendjes është e pavend. Ne e kishim përfunduar procedurën e verifikimit të kandidatëve dhe ishte vetëm një që kandidonte për dy vende vakante dhe për mendimin tim personal nuk është një veprim i duhur. Ne nuk mund të bënim nxjerrjen e pikëve në mbledhje të veçanta, i nxorëm në të njëjtën ditë, në të njëjtën mbledhje”, deklaroi Dvorani.