Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Twitter letrën që Ilir Meta i ka dërguar institucioneve të BE.
Shefi i qeverisë shkruan se letra në fjalë minon urën e Europës me Shqipërinë.
Ai shton se këto lëvizje vijnë sapo nis ‘terapia e reformës në drejtësi. Rama shkruan se reforma nuk mund të ndalet me kriza të turpshme.
“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit.
Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin.
Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian, po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!” – shkruan Rama.