Meta “luftë” në 15 mars? Presidenti: Pse nuk presim Venecian?

AKTUALITET


Ilir Meta doli këtë të premte në një konferencë për shtyp për të sqaruar letrën që ai i kishte dërguar më 3 Mars Bashkimit Europian. Gjatë 9 minutave të fjalës së tij, Meta e lexoi 2 herë letrën duke ripërsëritur çdo paragraf të saj. Ai u kujdes të evidentonte se në asnjë moment nuk kishte dal kundër hapjes se negociatave, por thjesht kishte kërkuar të tregonte situatën ashtu siç ishte, sipas tij.

Por letra dërguar BE-së, edhe pse lajm i rëndësishëm, nuk është ai më kryesori. Të gjithë janë të interesuar për 15 Marsin dhe kërcënimin që Meta bëri se do të firmoste dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, në mes të Kuvendit. E në drejtim të këtij interesi ishin dhe pyetjet e gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp.

Ilir Meta u pyet nesë i qëndronte skenarit të paralajmëruar. Pyetje të cilës Ilir Meta vendosi “t’i përgjigjej” me një pyetje për Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili pak orë më parë ishte shprehur për këtë çështje. Por në asnjë fjalë, Meta nuk ju referura 15 marsit, por vetëm faktin se pse ishte krijuar kjo situatë.

Gazetarja, ja përsëriti sërish pyetjen, por Ilir Meta sërish refuzojë të përgjigjej, duke kërkuar pyetje nga gazetarë të tjerë.  Dhe pyetja erdhi për të tretën herë. “A është 15 marsi një datë e panegociueshme për ju?”. Sërish Meta nuk dha përgjigje për këtë çështje, por u shpreh se integriteti i Gjykatës Kushtetuesë është vija e kuqe.

Tërheqje e Metës… por edhe ndoshta një sinjal nga mazhoranca se gjërat nuk janë përfundimtare. Të enjten në mbrëmje në Real Story, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj la të kuptohej se ende nuk ka një vendim përfundimtar nga mazhoranca lidhur me dekretin kthyes të Presidentit për betimet, firmosur në mbremjën e 2 marsit. Presidenti në konferencë ngriti pyetjen: Përse nuk presin opinionin e Venecias?

Ndoshta këtu mund të jetë zgjidhja. Mazhoranca mund të vendos të pres opinionin e Komisionit. Kjo shpjegon edhe zbutjen relative të Presidentit, i cili ofendimin për Kryeministrin e uli një gradë. E quajti “Zonja” dhe jo “Gruaja e Bilalit”. Dhe ju shmang tre herë pyetjes nëse në 15 mars do shperthente luftën. Në fund të fundit nëse shpëton Gjykatën Kushtetuese (dhe veten), parimet mund të presin edhe pak.



Skip to toolbar