Letra e Metës, KE: Nuk komentojmë mosmarrëveshjet, presim Venecian

AKTUALITET


Komisioni Europian i është përgjigjur interesit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare lidhur me letrën që Presidentit Ilir Meta i ka drejtuar Komisionerit për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Në reagimin zyrtar për ATSH, Zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero thekson se:

“Presidenti Meta i është drejtuar me një letër Komisionerit Várhelyi ku ai shpjegon se ka respektuar ligjin në çdo gërmë të tij për sa i përket  radhës së ndjekur për emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Në përditësimin e fundit të raportit për Shqipërinë botuar në 2 Mars, Komisioni pranon se “Ekziston një mosmarrëveshje në lidhje me emërimin e fundit të një prej gjyqtarëve, për shkak të një interpretimi ndryshe të procedurës së emërimit nga Presidenti i Republikës. Komisioni i Venecias do të publikojë një opinion mbi këtë çështje në Mars 2020. ”

Komisioni nuk u shpreh se Presidenti ka bërë një interpretim tjetër, por se ka një interpretim ndryshe të procedurës për emërimin e një prej gjyqtarëve nga Presidenti i Republikës.

Komisioni nuk bën komente në lidhje me mosmarrëveshjen midis autoriteteve të Shqipërisë. Ne presim opinionin që Komisioni i Venecias do të publikojë së shpejti”.



Skip to toolbar