Koronavirusi shënon viktimën e parë në Shqipëri, humb jetën e moshuara në Durrës

AKTUALITET


Është shënuar viktima e parë nga koronavirusi në vendin tonë. Bëhet me dije se ajo është e moshuara që rezultoi rasti i parë i infektuar në qytetin bregdetar të Durrësit, konfirmuar paraditen e djeshme. E moshuara është rreth 73 vjeç dhe fillimisht u nis me ambulancë drejt Tiranë, por në mënyrë të papritur u kthye sërish në spitalin e Durrësit.  E moshuara nuk ka qenë në gjendje për ta përballuar udhëtimin. Kujtojmë se e moshuara që ka rezultuar pozitive me COVID-19 ka pasur një historik udhëtimi me Italinë, dhe vuante dhe nga sëmundje shoqëruese siç ishte ajo e veshkave. Si pasojë e qendrimit të saj prej 5 ditësh në Spitalin e Durrësit, ku dhe është kuruar për pneumoni, dyshohet se të ketë të tjerë persona të infektuar me koronavirus, ndërsa disa prej mjekëve të spitalit u është kërkuar që të vetëizolohen për disa ditë.

Lidhur me këtë rast Ministria e Shëndetësisë ka dalë në një prononcim për mediat. Zv/ministrja Mira Rakacolli, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e së ndjerës, sqaroi edhe njëherë sëmundjet nga të cilat e ndjera vuante. “Pacientja vuante nga isuficensa kardiake e rëndë, kishte prej shumë vitesh çrregullime të ritmit të zemrës, kishte sëmundje kronike të mushkërive, kishte sipertireozë dhe kishte kryer edhe by-pass kardiak. Pavarësisht përpjekjeve maksimale nga ana e mjekëve, pacientja nuk mundi të mbijetojë. Deri në mëngjesit e sotëm ajo është trajtuar në mënyrë të izoluar. Sot paradite është kërkuar transferimi i saj në QSUT. Në çastet që po merreshin masat për transportin e saj, gjendja është rënduar dhe pacientja nuk ka mundur të mbijetojë”, tha zv.ministrja.

Më tej, Rakacolli përsëriti sërish thirrjen për qytetarët, që të bashkëpunojnë, nëse kanë pasur histori udhëtimi apo nëse kanë shenja të koronavirusit, pasi është një element shumë i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm.

“Ky virus, ashtu si gripi, prek moshat e mëdha dhe sidomos ato që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike.

Ju bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të bashkëpunojnë me stafet mjekësore. Kushdo që ka histori udhëtimi duhet të vetëkarantinohet, kush ka shenja duhet të njoftojë në numrin 127. Kemi nevojë për bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve.

Në karantinë rrinë qytetarët e shëndoshë, por që dyshohet se mund të jenë prekur. Karantinë kemi në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë. Në karantinë mbahen persona që psh kanë ardhur nga jashtë dhe dyshohet se kanë pasur kontakte me persona të prekur. Vetëkarantimin do të thotë që ti rri në shtëpi”, deklaroi Rakacolli.

Një ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ftuar në emisionin Real Story paralajmëroi për situatën e rënduar të kësaj paciente. “Kemi një paciente të moshuar, të izoluar në Spitalin e Durrësit, që është vendosur në sistem respiratore. Është një histori udhëtimi. Ka mbivendosje të sëmundjeve. Aktualisht një ekip ekspertësh është duke studiuar nëse ajo do të mbahet atje në izolim, apo do të dërgohet në Tiranë përmes një autoambulancë. “ – deklaroi ajo.



Skip to toolbar