Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të anulojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që ishin paraparë të mbahen më 12 prill.
Pas takimit të mbajtur nën organizim të presidentit, Stevo Pendarovski, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve. Për datën e re të zgjedhjeve, Zaev tha se do të vendoset pas normalizimin të gjendjen me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
“Nuk ka kushte për zgjedhje normale dhe si liderë të përgjegjshëm të gjithë vihen në funksion në luftë me koronavirusin”, ka deklaruar Zaev.
Ai ka theksuar se gjendja është shumë serioze andaj edhe ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
“Mendoj se mënyra më e mirë për përballje me koronavirusin do të ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe jo shpallja e gjendjes së krizës siç kërkoi lideri i opozitës, Hristijan Mickovski. Kjo do të na ndihmojë në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur jetën e qytetarëve, marrjen e masave ekonomike dhe të masave tjera në funksion të normalizimit të gjendjes”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka mbështetur masat, por ka kërkuar edhe respektimin e Kushtetutës, si në rastin e anulimit të zgjedhjeve, ashtu edhe për përballje me koronavirusin, gjegjësisht shpalljen e gjendjes së krizës.
“Kërkojnë që ekipet e ekspertëve të takohen sa më shpejt dhe të dalin me qëndrime për të gjitha dilemat. Mbetemi në qëndrimet se prioritet mbetet shëndeti i qytetarëve dhe përballja me virusin. Edhe më parë kemi tërhequr vëmendjen për masa më të qarta dhe efikase dhe jo të priten paraqitje të rasteve që më pas institucionet në nisin me punë. Që para një jave kërkuam masa parandaluese, por institucionet pritën paraqitjen e rasteve të para që më pas të ndërhyjnë”, ka deklaruar Mickovski. (REL)