Shkelja e afateve në zonën Schengen, MEPJ njofton çfarë ndodh me shqiptarët

AKTUALITET


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon lidhur me afatin e qëndrimit të shtetasve shqiptarë në Itali dhe në Republikën Çeke.

Duke nisur nga data 2 mars 2020, është vendosur një pezullim 30 ditor i afateve për procedimet administrative lidhur me qëndrimin e shtetasve të huaj, në territorin italian. Pezullimi, vlen si për procedurat e lidhura me lejet e qëndrimit (aplikim i parë ose rinovim), ashtu edhe për vizat.

Për këtë arsye, bën me dije MEPJ, nuk do u jepet masa e përjashtimit nga territori italian qytetarëve të huaj, të cilët do të gjendeshin në situatë parregullsie, të shkaktuar nga pezullimi i korridoreve të transportit të qytetarëve me Republikën e Italisë.

Gjithashtu, sa i përket qëndrimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën Çeke, MEPJ informon se të gjithë shtetasit e huaj, të cilët në momentin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndodheshin në mënyrë legale në territorin çek, do të mund të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë territor gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, pa pasur nevojë të zgjidhin çështjet e statusit të qëndrimit të tyre.

Ndërkaq të gjithë qytetarët shqiptarë që ndodhen në Suedi, që janë në gjëndje të provojnë se nuk kanë pasur mundësi të lenë Suedinë për shkak të anulimit të fluturimit, ose shkaqe të tjera, mund të aplikojnë për zgjatje afatit të qëndrimit, me kusht që ky afat të mos i kalojë 90 ditët.

Nëse qëndrimi në zonën Schengen do t’i kalojë 90 ditët, duhet të aplikojnë për një VIZË Vizitori.  Ky aplikim njofton MEPJ duhet të kryhet para se të skadojë afati i qëndrimit të deritanishëm.

Aplikimi bëhet duke ndjekur udhezimet në linkun e mëposhtëm të Portalit Diplomatik;
https://www.government.se/government-of-sweden/ministry-for-foreign-affairs/diplomatic-portal/​

Sa i përket qytetarëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Slloveni, MEPJ bën me dije se koha e qëndrimit të tyre në këtë vend, në këtë situatë të jashtëzakonshme, nuk do të llogaritet brenda 90 ditëshit të qëndrimit të lejuar në zonën Schengen.



Skip to toolbar