Numri i jetëve të humbura po bëhet çdo ditë thuajse i njëjtë në Itali prej disa ditësh dhe 24 orët e fundit ky vend regjistroi 766 të vdekur nga koronavirusi, raportojnë mediat italiane, pas komunikimit zyrtar të autoriteteve italiane. Ka arritur në 14.681 numri i të vdekurve deri sot.
Konstatohet se ka një ulje të qëndrueshme të numrit të të prekurve nga COVD-19 megjithë rritjen e testimeve në popullatë. Në 24 orët e fundit ishin 4.585 të infektuar të konfirmuar. Në total ka shkuar në 119.827 numri i të prekurve.
Ndërkohë ka shkuar në 19.758 numri i njerëzve të shëruar nga infeksioni. Por në luftë me vdekjen janë 4.068 vetë dhe nën mbikëqyrje mjekësore janë edhe 85.388 të tjerë.
Italia sot regjistroi shifra të tjera shqetësuese. Ajo ka arritur në 1.982 njerëz të infektuar për një milion banorë, mesatarja më e lartë në të gjithë botën.