Premier League s’do të nisë as në fillim të majit, lojtarëve u kërkohet ulje të pagave me 30%

CORONAVIRUS


Pas një mbledhjeje të gjatë, Premier League ka dalë me vendime të rëndësishme. Në takimin e kryer nëpërmjet videokonferencës të 20 klubeve të ligës më të rëndësishme dhe të koordinuar në Londër, u vendos që lojtarëve do t’u pritet rroga me 30% dhe u lajmërua se sezoni nuk do të nisë nëse nuk do të jetë situatë e sigurt.

Klubet duan ta mbyllin turneun. Linja e përgjithshme ka gjetur miratim unanim. Edhe përfaqësuesit e ligave të tjera profesioniste kanë shprehur këtë dëshirë, por për tani, përballë rritjes së numrit të të infektuarve nuk mund të vendosen data. Pikërisht për këtë arsye futbolli është i pezulluar dhe kërkohet që lojtarët të kontribuojnë në përballimin e krizës. Premier League do t’u japë 141.7 milionë euro ligave të tjera profesioniste dhe 22.6 milionë për shërbimin shëndetësor kombëtar. “Nisja do të bëhet me mbështetjen e plotë të qeverisë dhe kur kushtet mjekësore ta lejojnë,” lexohet në komunikatë.

Gjatë orëve të fundit ka pasur shumë presion kundrejt lojtarëve për të ulur pagën, madje u përfshi dhe ministri i shëndetit, Met Hankok. “Lojtarët duhet të bëjnë pjesën e tyre”, pat thënë ai, ndërsa Geri Nevil, ish-mbrojtësi i Junajtidit, iu përgjigj: “Lojtarët nuk jetojnë në një planet tjetër, janë të vetëdijshëm për tolin e tyre në shoqëri, por edhe operatori i shëndetësisë duhet të bëjë punën e tij dhe të mbrojë operatorët e shëndetit”.

Kapiteni i Liverpulit, Xhordan Henderson, ka qenë një nga promotorët e iniciativës, duke ftuar lojtarët që të mobilizohen për të krijuar një fond bamirësie të lidhur me shërbimin publik shëndetësor. Ka klube që kanë lëvizur më herët, si Junajtid që ka dhuruar 4 milionë euro, duke shkurtuar 30% të pagës së muajit të fundit. Nesër në Londër zhvillohet mbledhja vendimtare me sindikatën. “Prermier League do të takohet të shtunën me Professional Footballers Association për të marrë një vendim përfundimtar”, lexohet në komunikatën e shpërndarë në fund të takimit



Skip to toolbar